Rama, Vuçiç e Thaçi sfidojnë BE-në në një ndeshje futbolli

Një ndeshje futbolli ashtu si nuk është parë ndonjë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç dhe ministri i jashtëm kosovar, Hashim Thaçi të rreshtuar në të njëjtën skuadër. Ndeshja e pazakontë do të luhet në Vjenë, në kuadër të samitit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet në datën 27 gusht.

Lajmi është dhënë nga agjencia serbe “Tanjug”, që theksonte se liderët do të ndahen në dy ekipe: “Bashkimi Europian” dhe “Bashkimi Europian i ardhshëm”.

Në skuadrën “BE e ardhshme”, veçoria qendron në rreshtimin përkrah njëri tjetrit i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit serb Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm kosovar, Thaçi.

Në skuadër do të luajnë edhe dy ministra të qeverisë Rama, ai i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, por edhe ministri i jashtëm boshnjak, Crnadak, ai malazez, Lukshiç dhe shefi i diplomacisë maqedonase, Popovski. Mes tyre do të jetë edhe Goran Svilanoviç, sekretari i procesit të bashkëpunimit rajonal.

Në ekipin e futbollit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor mungon kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Në skuadrën kundërshtare, me emrin Bashkimi europian do të luajnë Ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz dhe kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar. Përballja do të gjykohet nga Komisioneri Europian, Johanes Hahn.

Lajme të ngjashme

Back to top button