Institucionet të pafuqishme përballë funksionarëve politik të korruptuar

Ekspertët e përfshirë në punën e organeve kundër korrupsionit dhe që tani më nuk janë pjesë e tyre, kanë pavarësinë politike për të rrëfyer gjendjen e vërtetë të korrupsionit në vend dhe qasjen selektive të partive qeverisëse në luftën kundër korrupsionit.

Ish-anëtari i Komisionit për antikorrupsion Dragan Malinovksi, thotë se “mund të konstatojmë një selektim të fuqishëm në punën e organeve kompetente në luftën kundër korrupsionit dhe partizimin e skajshëm të tyre. Ka pasur shumë debate për këtë çështje, por të gjitha kanë qenë pa efekt dhe punët janë duke shkuar ashtu siç janë”.

Akuzime të mëdha të ndërsjella për korrupsion mbeten pa efekt, për arsye se lufta kundër korrupsionit në vend të institucioneve, zhvillohet në terrenin politik, kryesisht për përfitime politike, thonë ekspertët.

Ajo që mbetet pikëpyetje e madhe për efikasitetin e organeve kompetente shtetërore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është partizimi i skajshëm i institucioneve shtetërore që pamundëson pavarësinë e tyre.

“Kështu siç shkojnë punët nuk do të ketë rezultate të mira dhe lufta kundër korrupsionit është e humbur. Do të humbet kjo luftë për shkak se në shtetin tonë kemi erozion të moralit, erozion të drejtësisë, mosfunksionim të shtetit juridik”, thotë Osman Kadriu, profesor universitar.

“Sipas sjelljeve të deritanishme as Komisioni për antikorrupsion e as organet tjera të cilat janë kompetente që ta luftojnë korrupsionin nuk japin përshtypje se funksionojnë të pavarura”, thotë Osman Kadriu.

Deputeti Tito Petkovski, potencon se akuzat e fundit të cilët i plasuan dy partitë më të mëdha maqedonase njëra kundrejt  tjetrës, tregon qartë se Qeveria përgatitet për zgjedhje të parakohshme dhe i përdorë të gjitha mjetet që ta diskreditojë opozitën.

Pavle Trajanov, ish ministër i brendshëm thotë se “është fakt se institucionet të cilët duhet ta luftojnë korrupsionin në vend janë nënë presionin e vazhdueshëm të politikës. Por, çështja duhet të shtrohet  në atë se si të bëhen të pavarura këto institucione, sepse e gjithë kjo është në dëm të shtetit”

Kryetari i Komisionit për antikorrupsion, Gjorgji Sllamkov, thotë se ky organ vepron në mënyrë joselektive sepse këtë e mundëson zbatimi i ligjeve. Ky Komision sipas tij, vepron në mënyrë të njëjtë ndaj të gjithëve, pa marr parasysh së është në pushtet apo në opozitë.

Lajme të ngjashme

Back to top button