Vrasja në Pogradec, burri e çonte gruan te familja, prindërit nuk e mbanin!

Nëna e tre fëmijëve nuk lejoi bashkëshortin të ushtronte dhunë ndaj djalit 8-vjeçar, për pasojë u bë vetë viktimë e bashkëshortit, njofton Gazeta Shqip.

Braktisja – Familjarët e detyruan Lirinë të kthehej me argumentin se kishte fëmijë për të rritur, ndonëse ajo i kishte paralajmëruar se një ditë ai do ta vriste

Vrasja e 35-vjeçares në Pogradec mund të parandalohej, ndërsa prindërit e saj do të kuptonin rrezikun që i kanosej. Burime policore pohojnë se nëna e tre fëmijëve kishte tentuar disa herë të largohej nga shtëpia për shkak se dhunohej nga bashkëshorti i saj. Por ishin familjarët që e detyronin te kthehej me argumentin se kishte fëmijë për të rritur, ndonëse ajo i kishte paralajmëruar se një ditë ai do ta vriste. Bëhet fjalë për ngjarjen e para dy ditëve në fshatin Propisht, kur Lirie Çekani e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Zamiri. Nga hetimet e deritanishme policia thotë se konfliktet mes burrit dhe gruas ishin shpeshtuar prej gati një muaji. Ai konsumonte alkool dhe 35-vjeçarja e kundërshtonte vazhdimisht. “Kështu ndodhi edhe pasditen e krimit. I dehur ai i kërkoi bashkëshortes t’i përgatiste ushqimin dhe në të njëjtën kohë qëlloi me pëllëmbë të birin. Gruaja ndërhyri për të shpëtuar djalin nga dhuna, por përfundoi e goditur me thikë. Nuk ishte ky shkaku i vdekjes, pasi ai vendosi ta lidhë me litar në fyt duke bërë që ajo të asfiksohej”, pohojnë burimet policore.

Lajme të ngjashme

Back to top button