Fleta ditari 2

Sezonë e bukur kjo verë gati si çdo verë tjetër, mjafton shëndeti të shërbejë dhe të kesh sadopak “daulle në bark”, siq thoshte gjyshja, se pa to nuk shijon gjë, as nuk punon me qejf, s’dashuron mjaftueshëm…Shkurt – nuk jeton si duhet.

Siq e thotë  fjala, jap tre vera për një dimër i cili sado mos të pengojë përsëri i ngrin deri-diku lëvizjet, raportet, planet, atë fluidin e paemër në ajër…Dimri, për mua, është më tepër uvertyrë në pranverë, si edhe akumulim energjish për t’u zgjuar më mirë kur një ditë të vijë dielli.

Nuk më kujtohet që ndonjëherë zhegu t’më ketë privuar qoftë nga ecja e gjatë në këmbë (gjithmonë me kufjet në vesh pasi e shkurtojnë rrugën) qoftë nga udhëtimet të cilat pikërisht i nxehti i bën disi më të realizueshme, më ambicioze në kohëzgjatje…

E bukura, në cilindo kuptim të fjalës, del më e bukur kur nga e bukura rrethohet, anise ngaherë konkludojmë se shëmtia e nxjerr më në pah të këndshmen, si një lloj kontrasti ose baraspeshe. Gabim.

Kështu edhe vera, në secilin qytet, është ende më e bukur në kuartet më të bukura urbane siq janë Çarshitë, kudoqofshin ato. Gjatë udhëtimeve në qytetet që kanë ruajtur të paprekura ose i kanë restauruar sagllam bërthamat e vjetra pikërisht ato janë destinacioni im kryesor; aty ndjen pulsimin e vendit ndër kohë, aty është më e kapshme për syrin dhe për shqisat tjera e tërë tradita, jo vetëm si arkitekturë dhe urbanizim, por dhe si mënyrë jete, tabijate lokale, si kod komunikimi ndërmjet njerëzve, gjeneratave, gjinive, profileve….

Kuptohet stina më e mirë shijon më tamam në Çarshinë që më së miri e njoh.

Ashtu si kafeja që pihet me më shumë lezet në lokalet ku na njohin, aty ku s’jemi vetëm numër, ku na e sjellin pijen edhe pa pyetur pasi pak a shumë e dijnë në cilën pjesë të ditës çka porosisim.

Po, zgjedhja e kafeneve të preferuara mund të flasë për ne po aq sa miqtë tanë, por e gabuar është bindja se me kë rri – ashtu bëhesh. Kjo ndodh vetëm kur rri me pak veta ose me veç një tip karakteresh; nëse shoqërinë e ke të shumënumërt, të larmishme ose edhe kundërthënëse, atëherë si do t’u ngjash të gjithëve kur janë aq të ndryshëm!? Më e dobishmja që fitohet nga rrethi i gjerë është mendja e hapur ndaj dallimeve dhe toleranca e internizuar si parim e jo vetëm pjesë e edukatës, mendoj se kuptohemi.

Zgjedhja e kafeneve të preferuara është indikator për shumëçka që na përcakton: muzika që dëgjojmë, filmat, dizajni që na pëlqen, autorët të cilëve preferojmë t’u rikthehemi se vepra e mirë lexohet ose të paktën shfletohet edhe pas leximit të parë.

Në shkrimin e rradhës – një lokal i preferuar për socijalizim, kontemplim, punë dhe pushim.

Është çajtore.

E veçantë kuptohet.

Tashmë e dini në cilën pjesë të qytetit ndodhet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button