Normalizohet trafiku hekurudhor Shkup-Tetovë-Kërçovë

Për shkak të reshjeve të shiut dhe vërshimet, të cilat e kapluan rajonin e Tetovës në pjesën e lumit Shkumbim, trafiku hekurudhor Shkup-Tetovë-Kërçovë është realizuar me vështirësi.

Siç njofton përmes kumtesës Nevzat Mamuti, këshilltar për marrëdhënie me opinionin në ndërmarrjen publike Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura-Shkup, gurët e shumtë në binarët hekurudhor, rrëshqitja e dheut, drunjtë dhe balta kanë ndikuar që trafiku hekurudhor në drejtim të Kërçovës, përkatësisht rreth 2 kilometra para Tetovës të ndërpritet për disa orë.

“Me punën e tyre, ekipet e NP Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura në mënyrë të suksesshme kanë arritur që të pastrojnë këtë linjë hekurudhor nga gurët dhe balta, duke e normalizuar kështu trafikun hekurudhor në drejtim të Kërçovës, i cili ka vazhduar të zhvillohet me shpejtësi të ngadalësuar për shkak të rreziqeve që mund të hasen në trafik nga kjo fatkeqësi natyrore”, thekson Mamuti.

Sipas vlerësimeve të para dëmi i shkaktuar në këtë linjë hekurudhore nga vërshimet dhe reshjet e shiut arrin shifrat rreth 15 mijë euro.

Ekipet ë NP Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura, ndodhen në terren dhe në mënyrë intensive punojnë në pastrimin dhe mënjanimin e defekteve në këtë linjë hekurudhore me qëllim që trafiku hekurudhor të zhvillohet pa pengesa.

Lajme të ngjashme

Back to top button