Opinionet nuk janë lajme

Recension: [“Gruevski kopjon Zaevin, u shtrin dorën shqiptarëve për ta pranuar si kryeministër”]

Sapo u publikuan informacionet e para për vërshimet dhe përmbytjet në qytetin e Tetovës, mediat u vërshuan nga informacione kryesisht të paverifikuara. Ku mbeti përgjegjësia e gazetarit dhe e medias në raste të tilla të fatkeqsisve narytore me pasojë humbjen e jetëve të njerëzve dhe dëmeve të mëdha material? Përveç kësaj, ishim dëshmitarë edhe të asaj që jo rrallë ndodh. Mediat shfrytëzuan momentin për të shfaqur pikëpamjet e tyre personale për individë ose parti politike.

Klan.mk - Gruevski kopjon Zaevin, u shtrin doren shqiptareve per ta pranuar si kryeministerLinku për te artikulli origjinal: “Gruevski kopjon Zaevin, u shtrin dorën shqiptarëve për ta pranuar si kryeministër”
Data e publikimit: 04.08.2015
Data e recensionit: 06.08.2015
Recensues: Fatlume Dervishi

Në tekstin që recensojmë gazetari ka shfrytëzuar një veprim të një subjekti për ta krahasuar atë me mosveprimin e subjekteve tjera me qëllim denigrimin e këtyre të fundit.

Këtë, ai nuk e ka bërë përmes burimeve dhe duke cituar qytetarët për të marrë mendimin e tyre, por përmes mendimeve individuale duke e bërë tekstin të luaj rolin e një komenti dhe jo të një lajmi. Tekstit i mungojnë të paktën dy-tre opinione qytetarësh të cilët do të shprehnin mendimin e tyre për prezencën e kryeministrit në vendin që ndodhi fatkeqsia. Të paktën për të mbështetur pretendimin e gazetarit se popullata shqiptare “e urren atë” të shprehur nga gazetari me fjalët “Siç duket Gruevski e ka kuptuar urrejtjen që ka shkaktuar te popullata shqiptare…”
Nisur nga vlerësime të përgjithshme, teksti duket se më shumë përcjell opinionin e gazetarit, se sa të qytetarëve shqiptarë. Mungesa e opinioneve të qytetarëve e bën tekstin që mos të jetë i plotë dhe të merret si mendim i autorit.

Veç kësaj, në tekst thuhet: “Por megjithatë shqiptarët  si popull emotiv që e vlersojnë mikpritjen dhe ngushëllimin duke harruar shpejtë të keqen i shtrinë dorën e pajtimit Gruevskit duke harruar atë që ka ndodhur me atë si kryeministër dhe diskriminimin politiko-ekonomik që u bëhet vazhdimisht shqiptarëve, ndërsa mediat shqiptare e zbutën qendrimin ndaj tij.” Nuk na jepet asnjë fakt, asnjë fotografi për të dëshmuar se kryeministrit i është zgjatur dora e pajtimit dhe populli ka harruar të kaluarën shkaku i traditës mikpritëse. Prezenca e kryeministrit në vend ngjarje nuk dëshmon këto konstatime. Nga ana tjetër nuk na jepet as edhe një shembull i një qëndrimi apo artikulli që do të vërtetonte se mediet shqiptare “kanë zbutur qëndrimin ndaj tij”.

Në vazhdim, gazetari në tekst ngre një pyetje të cilën e len pa përgjigje; “A është kjo një veprim populist i Gruevskit për të shfrytëzuar situatën tragjike për të përmirësuar imazhin e tij tek shqiptarët ose do të vazhdojë me politikën e tij diskrimminuese të deri tanishme pasi poltikat e Qeverisë Gruevski kan margjinalizuar dhe diskriminuar popullatën shqiptarë në mënyrën më të keqe të mundshme.“ Për te qenë i balancuar gjatë publikimit të informatave, gazetari duhet të ishte përpjekur për të marrë një përgjigje zyrtare nga kryeministri ose kabineti i tij për pyetjen që ka ngritur, pse jo edhe gjatë momentit të vizitës së tij.

Mungesa e këtyre informacioneve tekstin e ka lënë të mbushur me komente dhe përshtypje personale të shoqëruar poashtu me një fotografi që nuk duket se pasqyron momentin e vizitës së kryemnistrit në vendin e fatkeqsisë natyrore.

Një tekst i tillë i botuar si koment ose opinion do ishte qartë për lexuesin se përmban vetëm mendime të autorit, por i prezantuar si lajm ai lë shumë aspekte mangët pa të cilat nuk përmbushet misioni i informimit të saktë të publikut.

Lajme të ngjashme

Back to top button