Shqipëria shijon suksesin e fitoreve

Shqipëria nga vendi i 36, në të cilën ishte një muaj më parë e renditur, tani renditet në vendin e 22, duke lënë kështu prapa kombëtare të mëdha si Franca, Danimarka, Rusia e Suedia, raporton Koha.net.

Ndeshjet e fundit të Shqipërisë në kualifikimet për Euro 2016 kanë pasur ndikim të madh në këtë renditje, por vendimtare në ngritjen e kombëtares ishte vendimi i CAS-i për ndeshjen e zhvilluar më 14 tetor të vitit të kaluar në Beograd, duke i dhënë Shqipërisë tre pikë në tavolinë.

Nga Grupi I, vetëm Portugalia është në renditje para Shqipërisë, e cila rangohet në vendin e gjashtë. Shqipëria dy ndeshjet e radhës i luan pikërisht kundër rivalëve direkt për një kualifikim në Francë 2016, Danimarkës dhe Portugalisë.

Në anën tjetër edhe reprezentacioni i Maqedonisë ka shijuar ngritje për dy pozita në renditje, por jo për faktin se po luan mirë, pasi që nuk ka fituar asnjë ndeshje, por nga fakti se dy reprezentacionet Benin dhe Salvador, kanë pësuar rënie. Tani Maqedonia renditet e 103-ta, nga reprezentacionet që Maqedonia ka në grupin kualifikuese për Euro 2016, Spanja është e 11-ta, Sllovakia vazhdon me hapa të sigurt drejt kreut, duke u ngjitur tani në pozitën e 14-të, ndërsa Ukraina është e 30-ta, e Bjellorusia është e 96-ta. Më dobët e ranguar nga grupi i Maqedonisë është Luksemburgu që mban pozitën e 145.

Në kreun e listës vazhdon të jetën Argjentina, para Belgjikës, e cila i mori pozitën e dytë Gjermanisë. Në “Top dhjetë” janë edhe Kolumbia, Brazili, Portugalia, Rumania, Anglia, Uellsi dhe Kili. /Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button