Agolli: Ata që akuzojnë Ramën për Erdoganin, janë diletantë

Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, vlerëson qëndrimet e kryeministrit Rama ndaj homologut turk Erdogan dhe ndaj Turqisë.

Qëndrimet e një pjese të opinionit, që i cilëson deklaratat e kryeministrit turk si të rrezikshme e që revokojnë Perandorinë Otomane, Agolli i cilëson si prej diletanti. “Këto diskutime që thonë se duke i thënë Erdoganit ‘vëlla’ dhe ‘mik’ do të bëhemi Turqi, unë mendoj se janë prej diletanti. Këto janë injoranca më e madhe që unë kam parë, duke e trajtuar në këtë mënyrë”, shprehet për gazetën “Panorama” shkrimtari i njohur. 

Ai i cilëson vlerësimet e kryeministrit Rama ndaj homologut turk si shprehje të të zotit të shtëpisë ndaj mikut. “Këto janë shprehje e dashurisë ndaj një tjetri, kur i thua ‘unë jam vëllai yt’, është një shprehje miqësore. Është anormale të mendosh se Kosova dhe Shqipëria do bëhen Turqi. Këta që analizojnë të kundërtën, nuk kuptojnë se ç’do të thotë emocion, epitet që shoqëron një situatë mikpritjeje. Kjo është si ato vizitat që bëjmë te një mik dhe në fund themi që u bëmë si vëllezër”, tha Agolli. 

Për Agollin këto deklarata nuk duan të thonë se në Ballkan po rikthehet periudha e osmanlinjve. “Vetëm një i luajtur mendsh mund të mendojë se Kosova mund të bëhet Turqi, apo Shqipëria të bëhet Turqi përmes një pushtimi të ri otoman. Ka qenë vetë Ataturku që i ka rrëzuar osmanlinjtë. Ajo periudhë është mbyllur njëherë e mirë dhe historia nuk mund të ecë mbrapa”, tha Agolli. Por, për shkrimtarin e njohur, deklarata të tilla mund të krijojnë dhe përçarje fetare. “Këto diskutime, për shkak të disa besimeve fetare në Shqipëri, mund të krijojnë një përçarje mes feve duke shkelmuar tolerancën fetare që e kemi ndërtuar prej shumë kohësh. Ky është një diskutim që s’duhet hapur fare”, tha Agolli. 

Kryeministri Rama vlerësoi kontributin e Turqisë për çështjet shqiptare. “Kryeministri Erdogan është miku dhe vëllai ynë i pandarë, në festa, por edhe në vështirësi”, tha Rama. /Panorama/

Lajme të ngjashme

Back to top button