Filloi riasfaltimi i rrugës së Ilindenit në Gostivar

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta ndoqi nga afër fillimin e punimeve për rehabilitimin dhe riasfaltimin e rrugës së Ilindenit në afërsi të Shkollës së mesme industriale. Pjesët e dëmtuara të rrugës do të riasfaltohen tërësisht, kurse në pjesët e tjera vetëm do të kryhet faza e rehabilitimit.

“Ndodhemi në rrugën që njihet si rruga e Ilindenit ku po realizojmë projektin për riasfaltimin dhe rehabilitimin e rrugës. Është një rrugë mjaft e frekuentuar dhe në disa pjesë ishte dëmtuar. Aty ku ka pas dëmtime do të hiqet komplet shtresa e asfaltit të vjetër dhe do të vendoset shtresë e re asfalti, ndërsa aty ku nuk ka nevojë dhe asfalti është i qëndrueshëm, vetëm do të ndërhyhet në rehabilitimin e saj. Vitin e ardhshëm do të realizojmë edhe disa investime të tjera në infrastrukturën rrugore, dhe besoj që vitin që vjen qytetarët tanë që punojnë përkohësisht jashtë shtetit do t’i presim shumë më mirë”, tha mes të tjerash kryetari Bejta.

Kryetari Nevzat Bejta theksoi se investimi ishte patjetër të realizohet brenda muajt Gusht, nga fakti se në këtë rrugë funksionon Shkolla teknike dhe Internati i nxënësve të shkollave të mesme, dhe nga 1 Shtatori fillon procesi mësimor për vitin e ri shkollor 2015 / 2016. Kryetari Bejta shprehu ndjesë      dhe kërkoi mirëkuptim deri tek qytetarët të cilët deri në vënien në funksion të rrugës do të duhet të shfrytëzojnë dy rrugët e tjera alternative, rrugën përgjatë hekurudhës dhe që nxjerr tek Stacioni autobusëve dhe trenave, dhe rrugën “Sretko Kërstevski”, pas objektit të shkollës teknike dhe Internatit.

Lajme të ngjashme

Back to top button