Rama: Të hetohet Kumanova, s’ka veto për Maqedoninë (VIDEO)

Shqipëria nuk do të vendosë veto për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Me Maqedoninë kemi marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërkohë që rruga bazë për bashkëjetesë dhe harmoni në paqe e bashkëpunim midis shqiptarëve dhe maqedonasve është implementimi i drejtë i Marrëveshjes së Ohrit. Kështu ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për televizionin kombëtar maqedonas – Telma, ndërsa ka theksuar çështjet e nxehta me Maqedoninë siç është e Marrëveshjes së Ohrit apo dhe ajo e Kumanovës e ndodhur së fundmi.

Me rëndësi për të dyja vendet është ajo e respektimit të komunitetit shqiptar në Maqedoni, më konkretisht respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Respektimi i kësaj marrëveshjeje do të ketë rëndësinë e saj për stabilitetin në vend. Dhe, Nëse bëhet fjalë për dokumentin e fundit në Samitin e Ëells-it, ai është një dokument në të cilin të gjitha vendet anëtare të NATO-s u pajtuan dhe e potencuan nevojën që Maqedonia ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit si bazë për bashkëjetesë dhe harmoni në paqe e bashkëpunim midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Dhe gjithsesi, si bazë për forcimin e Maqedonisë, të jetë më stabile dhe më prosperuese. Ne absolutisht jemi të interesuar që Maqedoninë ta shohim më të fuqishme dhe besojmë se është e një rëndësie strategjike për rajonin dhe gjithsesi për Shqipërinë që të kemi një Maqedoni të integruar dhe stabël. Plotësimi i Marrëveshjes së Ohrit është i rëndësishëm për stabilitetin e Maqedonisë dhe përgjegjësi e partisë në pushtet”, ka thënë kreu i qeverisë shqiptare, duke potencuar faktin se Shqipëria nuk do të vendosë veto ndaj Maqedonisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.

Gjatë intervistës rreth tri minuta të zhvilluar në ambientet e kryeministrisë në Tiranë, Rama është kujdesur të hedhë poshtë të gjitha keqkuptimet që u ngritën pas deklaratës së tij në muajin maj.

“Jo, Shqipëria nuk do të vendosë veto në NATO”, ishte qëndrimi i kreut të qeverisë shqiptare, qëndrim të cilin e ka sqaruar qartë edhe gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin serb, Alaksandër Vuçiç, në vizitën e tij në Shqipëri. Duke u ndalur në një prej çështjeve më të fundit, që solli edhe reagimin e ndërkombëtarëve, siç është ajo e përleshjes së shqiptarëve në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë, me forcat e policisë, nga ku mbetën të vrarë 10 shqiptarë dhe tetë pjesëtarë të forcave të policisë, Rama mban të njëjtin qëndrim, atë të një hetimi ndërkombëtar dhe transparent.

Zbardhja e kësaj ngjarjeje, sipas tij, do të jetë një ndihmesë për të gjithë në rajon. “Mendoj se me siguri një hetim transparent dhe i pavarur do të jetë një ndihmesë e madhe për të gjithë. Do të jetë kontribut i rëndësishëm edhe për atë që e folëm më herët, për një Maqedoni progresive dhe stabile si shembull ku marrëdhëniet ndëretnike nuk janë problem, por përkundrazi janë një potencial i veçantë për përparim të shoqërisë dhe shtetit”, ka thënë Rama.

Lajme të ngjashme

Back to top button