Dënimi i gazetarit, Maqedonia matet me Iranin

Sipas Komitetit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve, me dënimin ndaj gazetarit Kezharovski, Maqedonia ka hyrë në grupin e shteteve me pushtet autoritar, si Irani, ku vuajnë dënim me burg 45 gazetarë, ose Eritrea me 28 gazetarë të burgosur.

Momentalisht në kontinentin evropian dënim me burg vuan vetëm një gazetar, në Itali. Praktika evropiane njeh vetëm 3 raste kur gazetarët janë gjykuar për zbulimin e identitetit të dëshmitarit të fshehur, dhe vetëm një prej tyre është dënuar me burg.

Gazetari kroat Domagoj Margetiq ishte dënuar me 3 muaj heqje lirie dhe 10 mijë euro gjobë për shkak të zbulimit në një proces gjyqësor, të identitetit të 48 dëshmitarëve të mbrojtur.

Dënimi i dytë më i rëndë është gjithashtu ndaj gazetarit kroat Ivica Marijaçiq, i cili ka paguar gjobë prej 15 mijë euro për shkak të zbulimit të identitetit të një dëshmitari të mbrojtur.

Rasti i tretë ishte dënimi me 7 mijë euro për gazetarin kosovar Baton Haxhiu, i cili kishte zbuluar identitetin e njërit prej dëshmitarëve të mbrojtur në gjykimin në Hagë të ish kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj.

Dënimi i Kezharovskit, me 4 vjet e 6 muaj burg është precedent për vepër të ngjashme, me të vetmin dallim që dëshmitari për të cilin ka shkruar Kezharovski, ka rezultuar më vonë i rrejshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button