Ahmeti: Marrëveshja të respektohet dhe të zbatohet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka takuar sot Deputetët e Parlamentit Evropian Alojzo Peterle, Sergei Stanishev dhe Angel Xhambazki, bashkëkryesues të Komitetit të Përbashkët Parlamentar të Parlamentit Evropian dhe atij të Maqedonisë.

Në takim u diskutua kryesisht rreth krizës politike në vend me ç’rast Ahmeti i njoftoi eurodeputetët mbi marrëveshjen e arritur midis katër liderëve të partive më të mëdha në vend me lehtësimin e Komisionerit Hahn, tre eurodeputetëve dhe Ambasadorëve të BE dhe SHBA në vend.

Ahmeti theksoi që marrëveshja është e dobishme për vendin  sepse rikthen stabilitetin politik, mundëson reforma sistemore që i përforcojnë institucionet e vendit, adreson marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet me fqinjët dhe integrimin EuroAtlantik.

Ahmeti nënvizoi që partitë politike duhet të vijojnë me përkrahjen e marrëveshjes dhe të angazhohen seriozisht në drejtim të zbatimit të saj sa më të shpejt në mënyrë që të rikthehet kredibiliteti i dëmtuar i institucioneve shtetërore, të garantohet rekomandimi për fillim të negociatave dhe të përmirësohet imazhi i vendit.

Përmbyllja sa më e shpejtë e reformave sistemore dhe të krizës politike gjithashtu do të na mundëson që të vijojmë përpjekjet për zgjidhje të çështjes së emrit me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Back to top button