Thaçi takoi eurodeputetin slloven, Alojz Peterle

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi sot në zyrat e BE-së në Shkup realizoi takim me bashkëkryetarin e Komitetit të përbashkët mes Parlamentit të Maqedonisë dhe PE-së, Alojz Peterle, si dhe me dy zëvendësit e tij,Sergei Stanishev dhe Angel Dzambaski.

Në takim është biseduar për situatën politike në vend, si dhe për zhvillimet në dialogun midis partive politike që lehtësohet nga SHBA dhe BE.

Kryetari Thaçi vlerësoi se situata aktuale kërkon përkushtim maksimal nga të gjitha palët për të zgjidhur krizën politike, juridike dhe ekonomike në vend, por shprehu dyshimin te tre liderët tjerë qeveritar për sinqeritetin në zbatimit e marrëveshjes.

Duke folur për rrjedhën e dialogut Thaçi theksoi se PDSH në kuadër të këtij procesi ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për zbatimit e reformave sistemore që rrjedhin nga marrëveshja e 2 qershorit dhe të rekomandimeve urgjente nga KE, e që përfshijnë realizimin e rekomandimeve të raportit të Pribes, duke kërkuar që kjo pako e reformave të përfshijë edhe kërkesat e PDSH-së, gjegjësisht përdorimin e plotë të gjuhës shqipe në Parlament, votimin e dyfishtë për miratimin e buxhetit, si dhe të pikave tjera nga platforma politike.

Në kuadër të këtij angazhimi, Thaçi e siguroi eurodeputetin slloven se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro-atlantike të vendit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button