U inagurua rruga e vendkalimit kufitar Bellanoc – Stançiç

Në komunën e Likovës sot filluan punimet për rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe asfaltimin e rrugës që çon drejt kufirit me Kosovën, gjegjësisht vendkalimin e ri kufitar Bellanoc – Stançiç midis Maqedonisë dhe Kosovës. 

Në këtë eveniment ishin të pranishëm zv/kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri i shoqëruar nga zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve Xhelal Bajrami, si dhe deputetë dhe funksionarë të tjerë të BDI-së.

“Sot inauguruam fillimin e ndërtimit të rrugës drejt kalimit të ri kufitar Bellanoc-Stanqiç. Ky projekt kapital, me rëndesi strategjike për këtë regjion që do të lidh Republikën e Maqedonisë me Republikën e Kosovës, parashihet të përfundojë brenda dy viteve. Me aktin e sotem nis realizimi i njërit nga projektet parazgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim” shprehet Emrira Mehmeti- Devaja, deputete e BDI-së.

Në inaugurimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge, zëvendëskryeministri Xhaferri theksoi se realizimi i këtij projekti kapital do të ndikojë në lëvizjen e lirë të qytetarëvc të të dy anëve të kufirit dhe zhvillimin ekonomikë të kësaj pjese. 

“Për mua ka një rëndësi të veçant , nisja e punëve për ndërtimin e kësaj rruge, e cila besoj se do të ndryshojë shumë çka. Së pari kjo rrugë do të bashkojë shumë shpejt njerëzit, të cilët janë të një gjuhe dhe të një gjaku, gjegjësisht banorët e Gjilanit dhe të Likovës e Kumanovës. Pastaj, do të ketë edhe efekte ekonomike, sepse njerëzit për nevoja të ndryshme nuk do të bëjnë gjithë ato kilometra që të sillen rreth e rrotull kah Shkupi për të dal në Gjilan e Kamenicë. Pastaj njerëzit kanë nevojë të kenë lidhje komunikimi që të mund të zhvillohen e të hecin përpara. Ka qenë e vështirë që ne ti krijojmë të gjitha procedurat. Mirëpo, ja që arritëm që ne bashk ta fillojmë këtë vepër kapitale, e cila i gëzon banorët në dy anët e kufirit “ tha Xhaferi.

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhelal Bajrami theksoi se infrastruktura rrugore mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. 

“Sot është një ditë e vacant për gjithë  ne, sepse sot fillon realizimi i një projekti kapital, projekt i cili ka qenë kërkesë e banorëve të kësaj ane. Gjithashtu, dua të paralajmëroj se shumë shpejt këtyre ditëve pritet të fillojë edhe asfaltimi i rrugës prej në hyrje të Vaksincës deri në Llojan për tu lidhur me Miratocën pra që mundëson hapjen e vendkalimit të ri kufitar Llojan Miratoc midis Maqedonisë e Serbisë”, tha Xhelal Bajrami.

Për ndërtimin e kësaj rruge që është në gjatësi prej 16 kilometra janë siguruar mjete nga Buxheti në vlerë prej 375 milion denarë.

Nga Kumanova deri në pikën kufitare Bellanoc – Stançiç ka 24 kilometra.

Parlamenti i Maqedonisë dy ditë më parë ratifikoi marrëveshjes midis dyja vendeve për hapjen e këtij vendkalimi kufitar. Debati në Kuvend u nxeh pasi që deputetja Mehmeti iu kundërpërgjigj deputetit të PDSH-së, Orhan Ibrahimi duke i thënë se ka fjalor rrugaçi.

Rregullimi i infrastrukturës rrugore sot fillon nga kompania që ka fituar tenderin dhe se pritet intensifikimi i punimeve për hapjen finale të kësaj pike kufitare që do të lidh banorët shqiptarë të të dyja vendeve dhe shkurtohet lidhja dhe lëvizja e lirë për banorët e rajonit të Kumanovës dhe Likovës si dhe rajonit të Gjilanit nga ana e Kosovës. 

Hapja e këtij vendkalimi ka qenë një kërkesë e kahmotshme e banorëve të këtyre zonave, të cilët për të udhëtuar në fshatrat përreth brezit kufitar kanë bërë dhjetëra kilometra përmes vendkalimeve Bllacë apo Tabanoc përmes Preshevës.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button