Zhduket trageti i linjës Shëngjin-Brindisi

Pa u mbushur një muaj nga ceremonia e përurimit, trageti i linjës Shëngjin-Brindisi, është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

Autoritetet e Portit të Shëngjinit, jashtë kamerave thonë për Ora News se kompania Jonian Island ka shkelur kontratën. Ndërkohe, Ministria e Transporteve ka shmangur çdo përpjekje të gazetarëve për një prononcim mbi këtë skandal.

Ndonëse iu bë jehonë e madhe dhe u përurua zyrtarisht nga ministria e Transportit më 7 qershor, trageti i linjës Shëngjin-Brindizi nuk u pa më në brigjet e Shëngjinit pas zgjedhjeve të 21 qershorit.

Banorët që jetojnë pranë portit pohojnë se trageti ka ardhur vetëm dy herë dhe më pas u zhduk.

Jashtë kamerës, drejtori i portit të Shëngjinit, Gjovalin Tushaj, pranon që kompania ka thyer kontratën njëvjeçare me të drejtë ripërtëritje që ka me portin. Katër muajt e parë të grafikut të tragetit të linjës Shëngjin-Brindizi dhe anasjelltas ishin të pasqyruara në kontratë, ndaj Tushaj pohon se kompania do të ndëshkohet për shkelje të grafikut të udhëtarëve.

Ora News u rikthye për të disatën herë në portin e Shëngjinit, por para kamerave askush nuk flet.

Lajme të ngjashme

Back to top button