Zjarr në malin afër fshatit Sllupçan, Kumanovë (FOTO)

Zjarri ka kapluar malin me pyje afër fshatit Sllupçan tani dy ditë me radhë. Banorët janë të shqetësuar se i njejti mund të arrijë në fshat. Nga ekipi i njësisë së zjarrëfikësve lajmërojnë për Portalb se janë duke kryer detyrën e tyre.

“Sa kam informata po digjet mali që është mbi fshat. Tymi vërehet në Sllupçan, prej këtu te xhamia e re. Dje është nisur zjarri dhe për një kohë të shkurtër ka pasur intervenim nga ana e zjarrëfikësve, por zjarr ka edhe sot e nuk e dij a kanë intervenuar apo jo.”- tha Shejma Ramadani për Portalb.Zjarr në malin afër fsh. Sllupçan, Kumanovë

“Dje e pamë zjarrin kur ishte krejtësisht i vogël, vetëm tym dilte pak. Dhe menjëherë i njoftuam përfaqësuesit e Ndërmarrjes së pyjeve në Kumanovë. Ata nuk kishin ditur asgjë dhe na thanë se do të intervenojnë. Por deri tash ende nuk ka pasur asnjë lloj intervenimi.”-deklaroi një banor tjetër i fsh. Sllupçan.

“Megjithatë është si hije e madhe e zjarrit te “Borat”- kështu i themi këtij vendit këtu, mbi ‘Varrezat e dëshmorëve’.

Kjo është lartë në rrugën për në Bellanoc, në të djathtë mbi fshatin Sllupçan. Vendi është mbjellur me pisha para më se 30 viteve e ndoshta për 5-6 vite do të kishin qenë të përdorshme. Këto pisha janë duke u djegur! Nuk mund të them saktë sa hektarë, por zjarri është zgjeruar shumë dhe rrezikon të arrijë edhe në fshat, sepse këto pisha janë shumë shpesh të mbjellura deri te ‘Varrezat e dëshmorëve’, nuk ka ndërprerje diku që të ndalet zjarri.”- shtoi ai.

Nga njësia zjarrëfikëse për rajonin konfirmuan për Portalb praninë e zjarrit në malin me pisha.

“Dje ishim në mal dhe e fikëm zjarrin, por sot sërish u ndez zjarr. Ekipet janë atje dhe po fikin, në vendngjarje janë, ja tani po dërgojmë edhe një automjet. Jemi në kontakt me drejtorinë, me qendrën për raportim, të cilat na ofruan ndihmë nëse do të duhet diçka. Do të shohim pastaj. Kolegët po punojnë atje.”- thanë nga njësia./Portalb.mk

 

Lajme të ngjashme

Back to top button