Ben Blushi: Zgjedhjet në PS, arbitrare

Pas përfundimit të Asamblesë së Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi shfaqi pakënaqësitë e tij, të cilat i konfirmoi edhe gjatë mbledhjes në debatin me kreun e PS, Edi Rama.

Blushi i cilësoi zgjedhjet si arbitrare, pasi siç tha ai, çdo anëtar i partisë do të zgjidhet, me përjashtim të kryetarit, shkruan NOA.

“Asgjë nuk ndodhi nga çfarë kisha paramenduar. Nuk kishte surprizë. Morëm vendim që të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste, çdo organizatë, çdo forum në rreth, të zgjidhen delegatët, me përjashtim të kryetarit. Këtë e konsideroj arbitrare. Kreu i partisë mori një mandat të përhershëm”,- tha Blushi.

Ai shtoi se Kongresi, i cili pritet të mblidhet në vjeshtë, nuk ka pse të vendosë për mandatin e kryetarit të partisë, sepse afati i ka skaduar në vitin 2013.

“Kur ka zgjedhje për kreun e PS? Është për të qeshur dhe për të qarë. Është partia më unike në planet që nuk zgjedh kryetarin. Është partia e vetme që kryetari ndërron statutin kur humbet zgjedhjet dhe thotë ‘I humba pa dashje’”,- u shpreh Blushi.

2Deputeti Taulant Balla sqaroi këtë situatë dhe akuza të socialistit Blushi, duke bërë me dije se PS është parti anëtare e Partisë Socialiste Europiane dhe është të detyruar për shkak të përkatësisë të zbatojë rregullat e familjes ku bën pjesë.

“Ka dallim mes modaliteteve të zgjedhjes së partisë një anëtar një votë. Ne po ndjekim mënyrën se si funksionon Partia Laburiste, por ka edhe raste kur kryetari i partisë zgjidhet nga kongresi. Kur partia fiton zgjedhjet, mandati i kryetarit është i konfirmuar nga vota popullore”,- sqaroi Balla.

Ai deklaroi se është gënjeshtër të thuash se në PS nuk ka zgjedhje. Sipas Ballës, asambleja i ka hapur rrugë një procesi ku të gjitha organet do të hyjnë në proces zgjedhor, ndërsa bëri me dije se nuk ka kohë për ndryshime në statut.

Nga ana e tij, Blushi u shpreh se do ishte mirë që kjo mbledhje të mos devijonte dhe se zgjedhjet duhet të jenë të mirëkuptueshme.

Ai shprehu besimin se kjo asamble do të bënte debat për ekonominë.

“Papunësia është rritur, borxhi është shumë i lartë, korrupsioni është rritur, taksat janë bërë të vështira. Kjo asamble dhe kongresi duhej të fliste për këto tema”,- tha Blushi

Në lidhje me këtë deklaratë ka folur ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili cilësoi si një nga arsyet kryesore e fitores së 21 qershorit, ekonominë.

Arben-Ahmetaj“Më vjen keq që miku im Blushi iu referua ekonomisë si një nga elementet në rënie. Unë nuk them se ekonomia është rozë, por them se ekonomia ka shumë nevojë për mbështetje. Ka statistika të shkruara dhe qëndrime emocionale për zhvillimet ekonomike”,- tha z. Ahmetaj.

Ai bëri me dije se në këto dy vite qeverisje janë krijuar vende të reja pune dhe se Shqipëria ka arritur të absorbojë krizën greke.

“Nuk janë ulur rrogat e pensionet, por nëpërmjet sistemit tatimor dhe taksës progresive u kemi kthyer qytetarëve shqiptarë një sasi të konsideruar duke ulur taksën apo duke e zeruar atë. U krijuan 16 mijë kompani të reja vetëm vitin e kaluar. Është rritje neto kompanish. Vetëm në 2014 janë krijuar dhe kanë ardhur 948 kompani të reja të huaja, që tregon se Shqipëria po bëhet një destinacion interesant për vendet e huaja”,- tha Ahmetaj.

I pyetur nëse druhet nga një përjashtim i mundshëm nga Partia Socialiste, Blushi tha: “Mendoni se do më përjashtojë se kërkoj zgjedhje në parti? E mirëpres nëse kjo parti e bën”.

Lajme të ngjashme

Back to top button