Urimet e kreut politik në Maqedoni për festën e Bajramit

Liderët politik në Maqedoni kanë uruar të gjithë myslimanët për festën e Fitër Bajramit. Më poshtë u sjellim uratat e tyre.

Presidenti Gjorge Ivanov: Besimi, përkushtimi dhe lutjet japin paqe shpirtërore
“Shënimi i kësaj feste të madhe islame na përkujton se besimi, përkushtimi dhe lutjet japin paqe shpirtërore, ndërsa respektimi i të afërmve dhe ndarja me ata që kanë më pak janë vlera universale për të cilat të gjithë angazhohemi. Solidariteti dhe besimi i ndërsjellë janë vlera të përbashkëta të cilat gjithmonë na bashkojnë. Sinqerisht jam i bindur se edhe në të ardhmen do ta kultivojmë respektin ndërfetar”, shkruan mes tjerash në urimin e tij, presidenti Ivanov.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti: Bajrami na sjell më afër njëri-tjetrit
“Në përfundim të muajit të agjërimit dhe të përkushtimit të devotshëm të të gjithë neve, të gjithë ne pranë BashkimitDemokratik për Integrim, të prirë nga unë si Kryetar, kemi nderin të urojmë të gjithë besimtarët e fesë Islame për festën e madhe të Bajramit”, thuhet në mes tjerash në urimin e liderit të BDI-së, Ahmeti.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi: Bajrami të jetë nismë për një mirëqenien të përgjithshme

“Uroj që ky Bajram të jetë nismë për një mirëqenien të përgjithshme dhe të përcillet me dashuri, respekt, solidaritet dhe vullnet të mirë. Le të jetë kjo festë një rast për të shpalosur akoma më thellë ndjenjat e vullnetit të mirë, respektit të ndërsjellët dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona”, thuhet në mes tjerash në urimin e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev: Bajrami le të ju gjejë me dëshira të plotësuara
“Festën e Fitër Bajramit, si përfundim i agjërimit që e kaluat me kujdes dhe respekt ndaj Zotit tuaj dhe me gjetjen e së mirës në brendinë tuaj, shpresoj që do ta kurorëzoni me një afrim familjar në tryezën e haresë me dëshirat e plotësuara për shëndet, mirëqenie, paqe dhe harmoni.Për shumë vite Bajrami!” thuhet në mes tjerash në urimin e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Lideri i LR-PDSH, Ziadin Sela: Bajrami, festë hynore dhe humane
“Bajrami, është stacioni ynë i reflektimit, për sakrificën që bëmë gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Është oaza ynë në radhë të parë humane, ku sundojnë afria me miqtë e dashamirët, gëzimi dhe festa në vatrat familjare, rivendosja e parimit për solidaritet dhe paqe mes nesh, e riorientim synimesh në harmoni të plotë me të kaluarën tonë historike-kombëtare, së cilës i takojmë! Gëzuar kjo festë e madhe islame, me urimet më të përzemërta që kohërat që vijnë të na gjejnë të bashkuar për sukseset tona, e me kultivimin e gjithhershëm të dy dimensioneve që përçon kjo festë, atë hyjnor dhe human.”thuhet në në mes tjerash urimin e liderit të LR-PDSH-së, Sela.

Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami: Mëngjesi i Bajramit të na ndriçojë në shpirtrat tonë

“Të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoni, t’Jua uroj këtë festë të madhe, duke uruar që këto ditë festive t’i kaloni në paqe shpirtërore, respekt të ndërsjellë e dashuri. Me këtë rast i lutemi Zotit të Plotfuqishëm që ta ketë pranuar agjërimin tonë, që Ramazani të na ketë bërë vërtet më të devotshëm, ndërsa mëngjesi i Bajramit të na ndriçojë në shpirtrat tanë të çiltër e të mbrujtur me pot dashuri për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, si dhe për gjithë njerëzimin.” thuhet në mes tjerash në urimin e liderit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Lideri i RDK-së, Vesel Memedi: Një ditë kur muslimanët anekënd botës i falënderohen të Plotëfuqishmit
Ne i themi lamtumirë muajit të shënjtë të Ramazanit, duke mbajtur me veti memoriet e fundit për iftaret e përbashkëta me familje dhe shokë, lutjet e përbashkëta, largim nga dëshirat tona të urisë dhe etjes gjatë këtyre ditëve të gjata dhe të nxehta, dhe durimit përkundër pengesave ditore, të gjitha këto për hirë të Plotëfuqishmit.Fitër-Bajrami është një festim unik që nuk lidhet me asnjë eveniment historik apo ndrim motmotesh, dhe as që është i lidhur me çështjet e kësaj bote. Rëndësia e saj është pastër shpirtërore. Është një ditë kur muslimanët anekënd botës i falënderohen të Plotëfuqishmit që u ka dhënë dëshirën, fuqinë dhe qëndrueshmërinë të mbajn agjërimin dhe të respektojnë urdhërat e Zotit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. ” thuhet në mes tjerash në urimin e liderit të RDK-së, Memedi.

Lideri i PPD-së, Nexhat Bexheti: paqja, lumturia dhe begatia të jenë pjesë e pandashme e njerëzimit
“Pas një muaji agjërimi dhe përkushtimi të plotë udhëzimeve dhe mësimeve të Allahut Fuqiplotë si dhe përmbushjes së obligimeve kuranore ne besimtarët muslimanë me kënaqësi të plotë e presim festën e madhe të Fitër Bajramit. Shfrytëzoj këtë rast të madhërishëm që besimtarëve muslimanë t’Jua uroj festën e madhe të Fitër Bajramit me dëshirë dhe uratë që paqja , lumturia dhe begatia të jenë pjesë e pandashme e njerëzimit në botë.”thuhet në mes tjerash në urimin e liderit të PPD-së, Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button