Tërnava uron Fiter Bajramin, fton në unitet kundër ekstremizmit

Besimtarët myslimanë në Kosovë sot po kremtojnë festën e Fiter Bajramit. Shënimi i kësaj kremteje ka nisur në orët e para të mëngjesit në të gjitha xhamitë në Kosovë, ndërkohë që manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Festa e Fiter Bajramit, pason, muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Në një ligjëratë tematike kushtuar Fiter Bajramit, Kasim Gërguri, tha se kjo është një ditë gëzimi që pason muajin e Ramazanit.

“Kjo ditë është ditë feste e ushqimi, ditë e furnizimit ndaj të varfërve, jetimëve e skamnorëve dhe e atyre që nuk kanë përkujdesje të bollshme. Kjo ditë është dita në të cilën paraqitet agjërimi tek sunduesi i gjithësisë dhe ditë kur jepet shpërblimi i agjëruesve prej thesareve të gjithëmëshirshmit”, ka thënë Gërguri.

Namazi i Fiter Bajramit është udhëhequr nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora.

Kurse mesazhet e Fiter Bajramit i ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Ai ftoi të gjithë besimtarët islam që të tregojnë solidaritet dhe respekt ndaj njëri tjetrit.

Ndërkaq një mesazh të veçantë ai adresoi edhe në lidhje me ekstremizmin dhe terrorizmin, duke thënë se Kosova nuk do të jetë vatër e këtyre grupeve.

“E kemi obligim të shenjtë, ta ruajmë vatanin tonë si sytë e ballit, ngase këtë e kemi amanet atdhetar e fetar. E rikonfirmojmë edhe njëherë përkushtimin e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të besimtarëve mysliman se jemi kundër çdo ekstremizmi të çfarëdo ngjyrimi fetar qoftë dhe kundër terrorizmit në emër të fesë”.

“Vetëm të bashkuar e unik në qëllimet tona për mbrojtjen e atdheut tonë do të pengojmë me kohë çdo përpjekje për destabilizimin e shoqërisë sonë nga kushdo qoftë”, ka thënë Tërnava.

Më tej, myftiu Tërnava bëri një lutje drejtuar Zotit për Kosovën, që ta ruaj atë nga terrorizmi e aktet e krimit dhe dhunës.

“Në këtë ditë feste e krenarie, të lutemi o Zot, ashtu si u lut Ibrahimi a.s. për Meken e nderuar dikur, që vendin tonë ta bësh të sigurt, ta ruash prej kriminelëve, terroristëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë t’i bëjnë keq tokës tonë Kosovës dhe gjithë trojeve tona etnike shqiptare”, është adresuar me mesazhet e tij, myftiu Tërnava.

Për festën e Fiter Bajramit, Bashkësinë Islame dhe qytetarët e besimit mysliman i kanë përgëzuar udhëheqësit më të lartë të shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa si dhe liderët partiak.

Ndërkaq, një urim për këtë festë, presidentes Atfiefete Jahjaga i është adresuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Lajme të ngjashme

Back to top button