Milo partive shqiptare në Maqedoni: Mos u bëni nacionalistë

Politikani shqiptar, Paskal Milo, ka kërkuar nga partitë shqiptare në Maqedoni të braktisin retorikën dhe veprimet nacionaliste dhe, në bashkëpunim me partitë maqedonase, të ndërtojnë, siç shprehet, një Maqedoni evropiane. 

Në shkrimin e tij të botuar sot në “Panorama”, ku reflekton për “fqinjët në politikën e jashtme të Shqipërisë”, Milo vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk është realizuar e plotë, sido që “është shënuar një progres i ndjeshëm në statusin e në të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni”. 

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, që është pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Rama, thotë gjithashtu se “shumica maqedonase duhet të çlirohet nga fobia shqiptare dhe të mos e shikojë identitetin dhe ekzistencën e saj të kërcënuar nga shqiptarët dhe nga tendenca e rritjes së tyre demografike”.

“Shqipëria është e interesuar për qëndrueshmërinë e konsolidimin e Maqedonisë si shtet e për integrimin e saj të plotë në BE e në NATO. Duke qenë në pozitën e saj të ligjshme për t’u interesuar për të drejtat dhe prosperitetin e shqiptarëve, qeveritë shqiptare në të njëjtën kohë janë të obliguara që t’i sigurojnë edhe minoritetit maqedonas në Shqipëri të gjitha standardet në nivel europian. Marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase kanë arsye që të kenë një të ardhme optimiste jo vetëm për perspektivën e tyre europiane e bashkëpunimin rajonal, por edhe për projektet e përbashkëta dypalëshe në fusha të ndryshme që presin të zbatohen”, shkruan Milo.

Lajme të ngjashme

Back to top button