PAS MARRËVESHJES FILLON LOJA

Pas negociatave të vështira u arrit marrëveshja ndërmjet liderëve partiakë, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, e cila e hap udhën për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në Maqedoni.

Realizimi i saj do të jetë proces i shoqëruar me rrengje të shumta politike, për sa kohë liderët lokalë njihen si inatxhorë, të vetëbegenisur, aspak parimor.

Pasi caku final i saj janë zgjedhjet e lira e demokratike, tani e tutje, çdo veprim politik do të jetë pjesë e një fushate të padeklaruar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pjesë e negociatave ishin edhe liderët e partive parlamentare shqiptare, zakonisht të inkuadruar në lojë gjatë pjesës së dytë.

Sipas të gjitha gjasave, kanë negocuar për tejkalimin e krizës politike, jo edhe për ndryshimin e sistemit të vjetëruar shtetëror, që më së shumti i ka dëmtuar shqiptarët. Dëshirojmë të jetë ndryshe, por jemi të bindur se koha do të na japë të drejtë.

Partitë e reja, kuptueshëm, janë jashtë kësaj loje, sepse nuk janë verifikuar në proces zgjedhor.

Negociatat ndoshta kanë krijuar perceptimin te negociatorët se betejat politike, tani e tutje, do të zhvillohen ndërmjet katër partive pjesëmarrëse në to.

Në këtë drejtim, për dallim nga pjesa maqedonase, në atë shqiptare nuk përjashtohen befasi, por të kushtëzuara nga veprimet dhe pozicionimet e grupimeve të reja politike.

Shumë të zhgënjyer me politikën e BDI-së dhe PDSH-së, që mallkojnë nëpër rrjete sociale, fshehur pas pseudonimeve, do të jenë votues të po këtyre partive, kur duhet të shfaqen me emrat e tyre të vërtetë. Kjo për shkak të interesave të ndryshme.

Pa dashur të krijoj percepim të pakëndshëm, duhet thënë se përvoja ka treguar se partitë e reja politike shfaqën dhe shuhen befas nëse nuk arrijnë që, krahas një platforme të qartë politike, të krijojnë infrastrukturën e qëndrueshme partiake.

Fenomeni i zhvendosjes masovike të elektoratit prej një partie drejt një partie tjetër, siç i ndodhi PPD, ndodh kur ka çarje të thella shoqërore dhe kur për këtë zhvendosje nuk duhet investim i madh.

BDI dhe PDSH kanë infrastrukturën partiake, të krijuar me vite, që mund të pësojë tronditje, por vështirë zhbëhet brenda muajit apo vitit.

Nëse partitë e reja e presin suksesin duke u bazuar vetëm te zhgënjimi qytetarë prej politikës së BDI-së dhe PDSH-së, mund të presin ditën kur do të çuditen nga rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme.

Në lojën politike duhet të kapësh çastin, por para se të kapësh çastin duhet të kesh punuar për të.

Është fakt i pamohueshëm dhe kokëfortë se politika shqiptare ka qenë e zbehtë dhe e paqartë.

Efektet e kësaj politike shihen veçmas në pjesën shqiptare të Shkupit.

Për këtë shkak, politikanëve të të gjitha bojave, u duhet bërë edhe pyetja se cili është vizioni i tyre për Shkupin shqiptar, si do ta jetësonin dhe cilat janë garancitë.

Është domosdoshmëri çdo nismë që punon për Shkupin, pa u udhëhequr nga logjika provincialiste, pa i sforcuar stereotipat ndërmjet qyteteve, madje duke i mbartur në vendimmarrjet politike.

Mendjehapurit, pavarësisht në cilin qytet kanë lindur apo jetojnë, flasin me dhimbje për Shkupin shqiptar dhe nuk ndikohen prej marrëzive lokaliste. Flasin me dhimbje teksa e shohin një qytet me nam në histori se si është katandisur në provincë ngulfatëse, ku nuk vjen në shprehje mendimi kreativ.

Prej kësaj gjendjeje dilet vetëm me politikë të menduar mirë dhe gjithëpërfshirëse e jo duke u udhëhequr nga vetëdija e formësuar sipas logjikës provinciale e klanore.

Natyrisht, politika nuk bëhet vetëm duke menduar, thotë një mendimtar, por edhe duke vepruar. Por, shton ai, para se të veprosh duhet të kesh menduar paraprakisht.

Një politikë e re nuk ec rrugës së vjetër. Quhet e re nëse ushqehet prej ideve të reja.

Në Maqedoni ka potenciale të pashfrytëzuara. Njëkohësisht, ka shumë asnjanësi.

Ta kthesh asnjanësinë në veprim, nuk është punë e lehtë. Tirania e asnjanësisë të mban ose të çon në ferr.

Fituesit e ardhshëm do të jenë ata që do ta mposhtin këtë tirani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button