Maqedoni, punësimet në shkëmbim të votave

Që nga 2 qershori, kur u vendos që në Maqedoni të mbahen zgjedhje të parlamentare, partitë në pushtet, më shumë VMRO DPMNE se sa BDI, janë duke zhvilluar me të madhe punësimin e popullatës, vend e pa vend, thonë për Portalb, ekspertët. Sipas shifrave që arriti ti hulumtojë Portalb, vetëm për këtë periudhë të shkurtër kohore u ndanë vendime pune nëpër spitale (444), në administratë publike (184), në prokurorinë e përgjithshme (55), në muze-galeri (3), në MASH (2) e MPB (600). Por jo vetëm kaq: Qeveria ndau grante për 400 kompani të reja, si dhe hapi rreth 3 140 vende të reja pune (përmes projektit “Maqedonia punëson”).

Ndonëse në parim zvogëlimi i papunësisë është një sukses makroekonomik i vendit, sipas ekspertëve, kur flitet për Maqedoninë, pas punësimeve dinamike (si këto gjatë tremujorit të fundit) fshihet diçka tjetër, gjegjësisht një politikë populiste në kurriz të buxhetit shtetëror, gjë që bëhet vetëm për të mbledhur vota.

“Konsideroj se është një vazhdimësi e cikleve të deritanishme politike.” – deklaroi akademiku, Abdylmenaf Bexheti për Portalb.

Sipas tij, ky cikël është një fushatë e radhës. Ashtuqë vala e punësimeve jo të zakonshme dhe mbingarkesa e administratës publike bëhet në ekuivalencë të përfitimeve të përkrahjes politike, sepse siç thotë Bexheti Shumë shpejtë do të vijojnë zgjedhjet.”

“Kjo gjë jo vetëm e dëmshme por është kancerogjene, sidomos që tani qeverisja aktuale është në fazën kritike ‘të jesh apo të mos jesh’ dhe është në gjendje të bëj çmos.”- vlerëson akademiku.

Sa për analogji, në raportin e fundit të progresit të KE-së për Maqedoninë, thuhet “Para zgjedhjeve të vitit 2014, partia në pushtet shpalosi planet për të plotësuar një numër vakant të posteve në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe postet menaxheriale në zyrat dhe ndërmarrjet komunale e publike.”

E derisa në raportin e Pribes theksohet se “Asnjë nga organet publike ose jo-qeveritare nuk duhet të vihet nën presion që të mos ushtrojë me përgjegjësi të plotë kompetencat që ka”, është gjerësisht e njohur se OSBE / ODIHR veçmë ka raportuar se është ushtuar presion mbi punonjësit e sektorit publik gjatë zgjedhjeve të prillit.

Për më tepër, sipas raportit të progresit, janë parë disa përmirësime në përfaqësimin e drejtë të pakicave, por sërish pakicat më të vogla vazhdojnë të jenë të pa-përfaqësuara.

Kështu gjatë tremujorit të fundit, nga njëra anë Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dha vendime për 154 nëpunës të rinj shtetëror, (në mesin e të cilëve 100 veteranë të UÇK-së edhe atë kryesisht në Sektorin për strategji, planifikim dhe ndjekje). E nga ana tjetër në Spitalin e Qytetit “8-shtatori”, në Shkup  iu ndanë vendime vetëm 323 vullnetarëve maqedonas apo 55 qytetarëve (vetëm maqedonas) në Prokurorinë e përgjithshme.

Gjithsesi, sipas raportit edhe në përmbushjen e objektivave për përfaqësimin e drejtë duhet të merret në konsideratë nevoja e institucioneve për staf të vërtetë. Kështu në shkurt të vitit të kaluar është miratuar një kornizë e re ligjore që pritej të zbatohej tërësisht në vitin 2015 e që theksonte parimin e meritës, publikimin e të dhënave (rritjen e transparencës) dhe planifikimin vjetor të buxhetit.

“Përsa i përkert shërbimit publik dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, punësimi në sektorin publik ka vazhduar të rritet, në mënyrë të veçantë në ndërmarrjet publike. Praktika rutinë e krijimit të posteve të reja mbi bazë shoqërore apo politike ka fryrë artificialisht shërbimin publik, duke minuar parimin e meritës dhe qëllimin e përgjithshëm të një administrate publike efiçente.”- thuhej në raportin e fundit të progresit./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button