Liria pyet: “A ka më të fortë”? (FOTO)

Ende nuk ka kundërshtarë të denjë për KB Liria, pasi që pikërisht kur pritej që sot të ketë përballë një ndër kundërshtarët më të fortë të kampionatit, Liria arriti që me diferencë dyshifrore të fitojë Kozhuvin, skuadër kjo që pretendon të jetë në mesin e më të mirëve.
 (Nared luajti edhe për publikun, gozhdimet e tija të lënë pa frymë)

Basketbollistët e trajnerit Marjan Ilievski në duelin e javës së 4-të në palestrën sportive “Kale” arritën që të triumfojnë ndaj Kozhuvit me rezultatin 97:69.
Edhe vet kryetari i klubit, Zekirija Idrizi ka potencuar se fitorja e sontme ka qenë më e ëmbla deri më tani dhe se basketbollistë treguan se janë në nivel të lartë. “Ishte një ndeshje shumë e mirë, ku dominuan në tërësi basketbollistët tonë. Në fund na gëzuan me fitore shumë me vlerë, ndërsa edhe publiku ka dalë i kënaqur nga ky sukses. 


(Kapiteni Labinot Idrizi (9) ndau gëzimin me publikun)

Liria për asnjë moment nuk e ka lëshuar nga duart udhëheqjen e lojës, ndërsa diferenca më e madhe ishte në çerekun e 3-të, kur rezultati ishte 82:45, plot 37 pikë diferencë.
Te Liria më së shumti pikë ka shënuar Bojan Trajkovski (19), pastaj Mijoviç 17 pikë, Tajron Najred me 16 dhe Dimçe Tasovski me 15 pikë.

Kapiteni Labinot Idrizi e mbylli këtë takim me 4 pikë, ndërkohë Jetmir Zeqiri gjatë 3 minutave e 05 sekondave që u paraqit lojë nuk arriti të shënoj, por tani më ai pothuajse në çdo ndeshje po fiton besimin nga trajneri Ilievski. 

“Ka qenë një lojë shumë e mirë dhe kemi dominuar gjatë gjithë kohës. Të fitosh Kozhuvin me një diferencë të këtillë është shumë domethanëse si për mu, ashtu edhe për skuadrën. Besoj se sado kohë që më jep trajneri për lojë, do të jap maksimumin që të përmirësohem nga dita në ditë”, ka thënë për “Portalb”Zeqiri. 

(Jetmir Zeqiri duke tentuar të bllokojë gjuajtjen e kundërshtarit)

Në ndeshjet tjera, Vardar Apave si mysafir ka mundur Pelister Sportin me rezultat 85:75, ndërkohë Rabotniçki në Kavadar mundi Feni Industri me rezultatin 84:58. Java e katërt mbyllet sot me ndeshjen Karposh Sokoli – Strumica. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button