Lëvizja për reforma: Plani i ri për spitalet, diskriminim etniko-teritorial

Te premten, ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov në konferencën për shtyp prezantoi planin e ri ku spitalet në Tetovë, Manastir dhe Shtip do të shndërrohen në qendra rajonale ku do të drejtohet pjesa më e madhe e pacientëve që jetojnë jashtë qytetit të Shkupit.

Për këtë shkak kanë reaguar nga Lëvizja për Reforma –PDSH, nëpërmjet anëtarit të saj Bekim Tateshi. Kjo, sipas tyre,  tregon për menaxhimin e dobët dhe pa plan të mjekësisë sekondare në Maqedoni.

“Nëntë vjet i duhej këtij menaxhmenti që të kuptojë se mjekësia sekondare është totalisht e atrofuar dhe e pashfrytëzuar duke stërngarkuar Klinikat univerzitare në Shkup edhe me raste banale. Reagime nga ana e mjekëve ka pasur, por ankesat kanë hasur ne vesh të shurdhër.

Sipas këtij proekti pacientët e Kumanovës me rrethinë do të duhet të mjekohen në Spitalin Klinik në Shtip. Pasi këtu nuk mund të gjejmë logjikë, kjo na shtyn të asociojmë në diskriminim etniko-teritorial nga ministria e shëndetësisë dhe drejtuesit e saj. Kështu edhe e kuptojmë propozimin e kësaj ministrie që regjioni i Kumanovës si qendër referente ta ketë spitalin e Shtipit, duke mos dyshuar në asnjë moment në kualitetin e shërbimeve që ofron Spitali Klinik i Shtipit.

Kërkojmë urgjentisht nga Ministri i Shëndetësisë dhe faktorëve politik shqiptar që të revidojnë këtë projekt dhe Spitali i Kumanovës të shendohet në spital regjional të regjionit të Maqedonisë Veri-Lindore, i cili në kontinuitet këta 15 vitet e fundit dhe më herët ka luajtur këtë rol duke i mbuluar me shërbime mjekësore të karakterit sekоndar-spitalor komunën e Kumanovës, Likovës, Nagoriqanit, Kratovës dhe Kriva Pallankës.

Të nderuar qytetar, jemi dëshmitar të trumbetimit të qeveritarëve tonë se zyrtarizimi i gjuhës shqipe është arritja më e madhe gjatë sundimit 10 vjeçar. Ne sot do t’ju dëshmojmë se gjuha shqipe nuk respektohet, nuk përdoret as në institucionin më të lartë shëndetësor, Kompleksin e Klinikave Univerzitare “Nënë Tereza” në Shkup.  Në hyrjen kryesore ky mbishkrim është i shkruajtur në gjuhen maqedone dhe angleze e jo në gjuhen amë të Nënës Terezë nga Shkupi. Kërkojmë që në afat sa më të shkurtër ky mbishkrim të jetë edhe në gjuhën e bashkësive që janë më shumë se 20 % të popullatës, se përndryshe me ligjin aktual dënimet janë të mëdhaja”, deklaroi Tateshi.

Lajme të ngjashme

Back to top button