ANALIZË: Shumë para për gjyqësorin, asessi t’u shërbejë qytetarëve!

Ashtu siç dhe theksohet në raportin e fundit të progresit të KE-së, qytetarët kanë në duar mekanizma të shumta të ankimit me të cilat monitorojnë përgjegjësinë e organeve gjyqësore. Portalb zbulon se numri i ankesave nëpër instancat gjyqësore vendase është i madh dhe shoqërohet me shuma të mëdha të parave që ndahen për kompenzim të tyre.

“Këshilli Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Avokatit të Popullit ka marrë 1 061, 339 dhe 732 ankesa në vitin 2013, në lidhje me punën e gjyqësorit. Arsyet më të zakonshme për ankesat janë zgjatja e procedurave gjyqësore, por gjithnjë e më shumë edhe mungesa e paanshmërisë apo qasjes së barabartë para drejtësisë. Gjykata Supreme ka vazhduar të pranojë kërkesa për kompensimin e procedurave të paarsyeshme të gjata gjyqësore. Ajo mori 434 kërkesa të tilla, me ç’rast dha më shumë se 116.000 euro për kompensimin e shpenzimeve.”- shkruhet në raportin, sipas të cilit në fillim të vitit 2014, Këshilli Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë ka identifikuar rastet e vjetra, duke përdorur sistemin e automatizuar për menaxhim me rastet e gjykatave, “Nëpër të gjitha instancat gjyqësore, janë identifikuar 3 155 raste që kanë qenë në sistemin gjyqësor për më shumë se tre vjet, nga të cilat 822 raste ishin më shumë se pesë vjet të vjetra dhe 56 raste më shumë se 10 vjet të vjetra.  Megjithatë, kjo përmbledhje ka qenë deri tani e kufizuar në rreth 88 000 raste kontestuese dhe duhet të zgjerohet për të mbuluar të gjithë ngarkesën e gjykatave, duke përfshirë rastet procedurale dhe jo-kontestuese, të cilat aktualisht janë rreth 180 000.”

E nga ana tjetër duke iu referuar raportit, buxheti i gjyqësorit për vitin 2014 ishte 30.83 milion euro, Zyrës së Prokurorit Publik 7.25 milion euro ndërsa 50.000 euro u ndanë për ndihmë juridike (kryesisht në çështje të pronësisë, viktim të dhunës në familje dhe mbrojtje të fëmijëve).

Këtu ceket edhe fakti se pavarësisht obligimit ligjor për t’i publikuar online të gjitha gjykimet më së voni dy ditë nga dita e miratimit, shumica e vendimeve kontraverse dhe të ndjeshme për publikun, nuk publikohen aspak dhe rezultojnë si mungesë e informatave për mediat.

Gjithsesi nuk janë të pakta as rastet kur qytetarët e pakënaqur nga vendimet gjyqësore, kanë durim t’i tejkalojnë të gjitha procedurat dhe ankesën e tyre ta drejtojnë te Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por tashmë si ankesë kundër Maqedonisë.

Më konkretisht, në profilin për shtyp të Gjykatës Evropiane për Të drejtat e Njeriut për Maqedoninë të freskuar së fundi në maj, 2015 thuhet: “Gjykata Evropiane për Të drejtat e Njeriut u morr me 486 kërkesa në lidhje me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë në vitin 2014, prej të cilave 476 janë shpallur të papranueshme ose të hedhura poshtë. Gjykata mbajti 9 gjykime (lidhur me 10 kërkesa), në 6 prej të cilave kishte së paku një shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.” Këtu poashtu thuhet se bazuar në popullsinë dhe BPV, kontributi i Maqedonisë për vitin 2015 për buxhetin e Gjykatës Evropiane është 485,155 euro.

Ky fakt ilustrohet dhe njëherit sqarohet me të dhënat në vijim:
12

Me këtë rast, e pyetur rreth lëndëve për të cilat qytetarët dorëzojnë ankesa kundër aktgjykimeve në Maqedoni, Margarita Caca Nikolovska ish-gjykatëse në Strazbur (1998-2008) për Portalb deklaroi: “Ka shumë lëndë për të cilën qytetarët ankohen. Zakonisht ankohen për zgjatje të procedurave, Nenin 3 (pra lëndë të torturës, sjellje jo njerëzore), vendime të arbitruara, për çështjen e lirisë dhe për të drejta të tjera njerëzore.” Sipas saj, numri i ankesave në raport me numrin e banorëve të Maqedonisë është shumë i madh dhe i dëmshëm për vendin.

“Shumica e ankesave përfundojnë si të papranueshme për arsye të ndryshme, por sido që të përfundojnë ankesat, e rëndësishme është që ekziston pakënaqësi te qytetarët. Pra kyçe është ‘Pakënaqësia’ që mbizotëron ndër qytetarët. Ndërsa një problem më vete është edhe fakti se një numër i madh i gjykimeve ende nuk ka përfunduar.”-theksoi Nikolovska për Portalb.

Për më tepër,  në raportin më të fundit të KE-së, të përpiluar nga ekspertët e udhëhequr nga drejtori i drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, Rejnahrd Pribe (ku rëndësi të posaçme i kushtohet përmbajtjes së bisedave të përgjuara, e me këtë rast theksohet rekomandimi për rekrutimin e personelit gjyqësor vetëm në bazë të meritës), në një pjesë të veçantë thuhet: “ Duket se vetëm rreth një e dhjeta e rreth 100 vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kundër vendit, janë zbatuar siç duhet. Mund të jetë një numër arsyesh për këtë, njëra prej të cilave duket të jetë mungesa e burimeve dhe kapaciteteve të Agjentit të Qeverisë.”

Këtij konstatimi në raport bashkangjitet rekomandimi në vijim: “Gjykimet dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe të shpejtë, në përputhje me detyrimet e vendit ndaj Gjykatës dhe duhet të hartohet një listë e masave praktike dhe efektive për çdo rast apo kategori të rasteve.”

Si rast më të fundit, në maj, Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg miratoi vendim kundër Maqedonisë në favor të Marina Ilievskas nga Kriva Pallanka. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button