Ahmeti në takim me francezët: Investoni në Tetovë

Delegacioni i Bashkimit Demokratik për Integrim i prirë nga kryetari Ali Ahmeti, zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi dhe shefi i kabinetit Artan Grubi qëndroi në Pallatin Presidencial francez në Elize, ku u takua me këshilltarin politik të Presidentit Holland, z. Fabien Penone, i cili mbulon Amerikën, Bashkimin Evropian dhe Ballkanin. 

Ish Ministri i Mbrojtjes së Francës në kohën e luftës së Maqedonisë dhe tash Senator në Parlamentin Francez si dhe i Dërguar Special i Presidentit Holand për Ballkan, Alen Richarde, shtroi drekë pune për kryetarin Ahmeti në shoqërim me Violaine De Villemeur, Drejtore për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme Françeze, François Pugeaut nga drejtoria për Ballkan në Ministrinë e Jashtme dhe z. Samuel Ducroquet nga shërbimi i Jashtëm Francez në Unionin Evropian për Ballkanin perëndimor.

 “Z. Penone i uroj mirëseardhje dhe shprehu mirënjohjen franceze për gjithë angazhimin e kryetarit Ahmeti tash dhe në të kaluarën si faktor stabiliteti. Franca mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe inkurajon zgjidhje sa më të shpejtë të pengesave që qëndrojnë në rrugën tonë drejt Brukselit. 

Në të dy takimet, kryetari Ahmeti shprehu mirënjohjen e tij për rolin e rëndësishëm të Francës në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Maqedoni dhe në rajon si dhe përmendi rolin konstruktiv të eksponentëve francez sikur Kushner, Leotard, Le Rua, Badinter, Teral dhe shumë të tjerëve, në ndërtimin e institucioneve demokratike në vend dhe rajon. 

Kryetari Ahmeti gjithashtu mirëpriti qëndrimin e Presidentit Holand mbi nevojën për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe theksoi që në këtë vazhdë, angazhimi i shtuar i Francës, si vend mik i Maqedonisë dhe Greqisë, është i nevojshëm drejt arritjes së kompromisit me Greqinë”, thuhet në komunikatën e partisë së Ahmetit, BDI. 

Ndryshe, Ahmeti ka ftuar investitorët francez që të zhvillojnë bizneset e tyre në zonën e lirë ekonomike të Tetovës si dhe garantoi sigurinë e investimeve franceze në Maqedoni. 

Lajme të ngjashme

Back to top button