40 vjeçari tetovar u sulmua dhe u kafshua nga qeni- mbeti pa gishtin e madh të dorës!

Pa gisht të madh në dorën e majtë si dhe më shumë kafshime dhe lëndime të tjera në duar, u përball 40 vjeçari tetovar kur dje rreth orës 15 u sulmua nga një qen shtëpie, i racës “Kangal”.

Sulmi ndodhi kur ai me fëmijët shkoi në shtëpinë e vetë në rrugën “146” në lokalitëtin “Gorni arabat” në Tetovë. Qeni përnjëherë iu hodh tetovarit dhe i shkaktoi disa lëndime në duar dhe e la pa gishtin e madh të dorës së majtë.
I lënduari menjëherë u dërgua në klinikën e spitalit të Tetovës, ku iu bënë disa ndërhyrje kirurgjike në duar. Brenda ditës së sotshme, ai u lëshua në mjekim shtëpiak.

Tetovarët vlerësojnë se qentë që shëtisin me pronarët e tyre duhet patjetër të lidhen me rrip dhe të bartin masa mbrojtëse për sigurinë e të tjerëve.

“Duhet të jenë të siguruar. Unë nuk ndihem i sigurt përderisa qentë nuk janë të siguruar në mënyrë të përshtatshme.“; “Nuk ndihem i sigurt, vlerësoj se ato kafshë të dashura duhet t’i kenë të vendosura maskat që të mbrohen njerëzit”-thonë për Portalb qytetarët.

Sulmi i qenit shtëpiak ndaj njeriut, pa mburojë të përshtatshme sanksionohet me ligj. “Qentë shpesh mund t’i frikësojnë ose t’i sulmojnë njerëzit, gjë e cila është kundër Ligjit për prishjen e qetësisë dhe rendit publik. Sipas Nenit 29 të këtij ligji, gjoba për kësi lloj shkelje është prej 100 deri në 400 euro në kundërvlerë në denarë”-deklaron Marjan Josifovski, zëdhënës i MPB-së Tetovë.

Nga policia informojnë se kanë kryer hetime në vendin ku ka ndodhur sulmi, kanë biseduar me të lënduarin dhe janë duke marrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e të gjitha hollësive- se si ndodhi sulmi, kush është pronar i qenit dhe për gjetjen e qenit.

Lajme të ngjashme

Back to top button