Çështja e emrit në krye të agjendës diplomatike të Ahmetit në Bruksel

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga Zëvendës Kryeministri për BE, Fatmir Besimi takuan sot në Bruksel Peter  Feith, ish i deleguar special i NATO gjatë vitit 2001, morën pjesë në debatin e organizuar nga Qendra për Studimin e Politikave Evropiane (QSPE) mbi perspektivat e Maqedonisë dhe të rajonit, u takuan me Komisionerin për Zgjerim të BE, Stefan Fule, këshilltarët politik të Presidentit të BE Van Rompuy, Pedro Serano dhe Sharlot Samerlin, si dhe  Jonas Jonson, Drejtor i Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor të  Këshillit të BE-së dhe Terkel Petersen, Zëvendës Drejtor në drejtorinë përkatëse të Këshillit te BE-së.

Me Feith u diskutua rreth aktualiteteve politike në vend dhe në rajon si dhe shkëmbyen opinione për qasjet më të mira të mundshme për zgjidhje të çështjeve të hapura me fqinjët në mënyrë që të lehtësohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE.

Në QSPE, para diplomatëve të shumë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Kryetari Ahmeti foli për perspektivat EuroAtlantike të Maqedonisë, nevojën për pajtim rajonal në Ballkanin perëndimor, urgjencën e arritjes së kompromisit mbi çështjen e emrit si dhe për të rolin e komunitetit ndërkombëtar në Maqedoni dhe rajon. Diplomatët  parashtruan pyetje të shumta gjatë debatit që ndërlidheshin me çështjen e emrit, Marrëveshjes së Ohrit, lirisë së mediave, dialogut politik midis partive politike, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, etj.

Kryetari Ahmeti dhe Fyle diskutuan gjatë rreth perspektivës evropiane të Maqedonisë bashkë me nevojën për marrjen e vendimeve të duhura për ta fituar datën për fillim të negociatave me Bashkimin 

Evropian. Bashkëbiseduesit u dakorduan rreth nevojës për të ndërmarrë vendime të guximshme për ta siguruar ardhmërinë e vendit në BE.

Edhe në takimet e ndara të tjera u bisedua rreth ardhmërisë Evropiane të Maqedonisë.
Kryetari Ahmeti theksoi nevojën për kyçje më aktive të institucioneve të Bashkimit Evropian, por edhe të vendeve anëtare, në procesin lehtësues të zgjidhjes së çështjes së emrit në mënyrë që të sigurohet e ardhmja e vendit.

“Maqedonia gjendet para zgjedhjes midis rrugëve të integrimit ose izolimit. Kryetari Ahmeti është ithtar i integrimit si alternativa e vetme për Maqedoninë që sjell stabilitet, paqë të qëndrueshme, siguri, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, por edhe zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës”, ka theksuar Ahmeti.

Kreu i BDI-së sot do të qëndrojë në Këshillin e Bashkimit Evropian ku do të takohet me drejtorin menaxhues të Këshillit për Evropë dhe Azi, Luis Felipe Fernandez De La Pena, drejtorin për Evropën Perendimore, Ballkanin Perendimor dhe Turqinë, Fernando Xhentilini, si dhe deputetin në Parlamentin e Evropës nga partitë e djathta, Eduard Kukan.

Lajme të ngjashme

Back to top button