Drejtuesit e Fakultetit të Shkencave Sportive të Universitetit Uludag e vizituan USHT-në

Një delegacion i Fakultetit të Shkencave Sportive të Universitetit Uludag nga Bursa e Republikës së Turqisë, i udhëhequr nga dekani i këtij fakulteti, Prof. dr. Cenk Ayidin, e vizituan Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ata u pritën në ambientet e Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së nga dekani i këtij fakulteti, Prof. dr. Hajri Ziba. Në takimin që u zhvillua mes drejtuesve të dy fakulteteve, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Komunës së Bursës, si dhe Kryetari i Unionit Studentor të Universitetit Uludag.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sportive të Universitetit Uludag, Prof. dr. Cenk Aydin, i falënderoi drejtuesit e Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së për mikpritjen e ngrohtë, duke shtuar se takimet e këtilla duhet të jenë sa më të shpeshta edhe në të ardhmen, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta në fushën sportive.

Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. dr. Hajri Ziba theksoi se ky takim është realizuar me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta mes Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së dhe Fakultetit të Shkencave Sportive të Universitetit Uludag, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy universiteteve.  Po ashtu, në këtë takim u bisedua që dy fakultetet në të ardhmen të bëjnë këmbimin e studentëve dhe stafit akademik. Në këtë takim miqësor rëndësi e veçantë iu kushtua themelimit të programeve të përbashkëta studimore, në të gjitha nivelet e studimeve, përfshirë këtu edhe organizimin e konferencave të përbashkëta, simpoziumeve, kongreseve, shkollave verore, botimin e revistave shkencore, si dhe publikimin e teksteve të përbashkëta universitare.

Drejtuesit e Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së, po ashtu, vunë në dukje edhe investimin financiar në projekte të përbashkëta arsimore, shkencore, artistike, si përforcimin e teknologjisë sportive.

Lajme të ngjashme

Back to top button