Rrëfehet Ardit: Si e prezantova show-m me dy brinjë të thyera

Ardit si je me shëndet? Vërtet ka ndodhur incidenti dhe ke thyer dy brinjë?

Mirë më duhet të them (qesh). Po, është e vërtetë.

Po si arrite të dalësh në transmetim direkt?

Ja ashtu, me ilaçe kundër dhimbjes.

Po si ndodhi?

Ndodhi ajo që kanë shkruar gazetarët këto ditë dhe për herë të parë thanë të vërtetën (qesh). E kanë shkruar lajmin siç ishte, pa ashtu gjëra të paqena. Incidenti ndodhi për shkak të një pakujdesie, jo nga ana ime, por nga ata që po bënin dekorin. Thjesht nuk më lajmëruan që duhet të kisha kujdes.

I tërhoqe vërejte atyre të dekorit, apo ua fale?

Absolutisht jo! Problemi është ta parandalosh, po kur gjëja ndodh nuk bën dot gjë më pas.

Mjekët çfarë të thanë? Nuk të rekomanduan regjim shtrati?

Në fakt unë në shtrat isha dhe do vazhdoj të jem, përjashto kohën e transmetimit. Nesër do të shkoj në spital, sepse më duhet të ndërroj fashat dhe do bëj regjim shtrati deri të dielën e ardhshme. Deri atëherë nuk do të lëviz dhe besoj se do arrij ta marr veten. Kjo e diel që sapo kaloi ishte problemi më i madh. Tani që kalova këtë do të jetë më e lehtë.

Ishte e pamundur që një “E diel” të mos bëhej?

Mendova që do e përballoja dhe që në fakt e përballova. Veç kësaj janë kontratat, sponsorët, “Tele-bingo”, që është gjithë ai investim, njerëzit që presin të shohin. Çdo gjë, përveçse punë, është edhe një lloj detyrimi. Më duhej ta bëja. U këshillova dhe me mjekët dhe ishte një sakrificë e përballueshme dhe jo shumë e rrezikshme. Brinjët ngjiten vetë, por rreziku më i madh ishin dhimbjet e mëdha. Në çdo lëvizje të vogël ndjej dhimbje dhe duhet bërë shumë kujdes.

Nuk ishte më komode të prezantoje ulur, se sa në këmbë?

Kur thyen brinjët mund të qëndrosh ose shtrirë, ose në këmbë. Është e pamundur të qëndrosh ulur (qesh).

Kush prej familjarëve të tu u tremb më shumë?

Bashkëshortja ime Anila, ishte aty kur ndodhi, sepse ne punojmë bashkë. Im bir ndodhet në Vjenë, ndaj më e trishtuara është vajza e vogël, që nuk e mbaj dot në krahë këto ditë (qesh). (BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button