Kosova pjesë e fondeve rajonale të IPA-së

Në Prishtinë po mbahet takimi i radhës për fondet rajonale në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit.

Në kuadër të fondeve rajonale të IPA-s për vitin programues 2016 janë alokuar 390 milionë euro. Në takim po marrin pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë dhe përfaqësuesit e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim dhe përfaqësuesit nga Komisioni Evropian.

Për herë të parë Prishtina është nikoqire e takimit të përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim të diskutimit për fondet që ndahen nga programi i instrumentit të Para-Anëtarësimit. Morten Jung udhëheqës i programit, tha se ky proces ka filluar në gusht të vitit 2014 në Berlin duke vazhduar me takimin e ministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit me qëllim të riafirmimit për lidhje, marrëdhënie të fqinjësisë, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian.

“Ne duam të jemi ambicioz për atë se programi duhet të jetë ndihmesë për ta mbajtur agjendën lidhëse të shteteve të Ballkan Perëndimor. Ne do të vazhdojmë me projekte kyçe që do të rrisin rezultatet dhe gjithashtu do ta mbajmë fokusin në tri strategji të mëdha. Në atë të sundimit të ligjit, ekonomi dhe qeverisje të mirë dhe reformat në administratën publike”, tha ai.

Ndërsa ministri i integrimit Evropian Bekim Çollaku tha se projektet e përbashkëta të vendeve të rajonit janë mundësi e mirë e bashkëpunimit, prandaj sipas tij edhe ky takim do të shërbej në promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Agjenda e lidhjes së rajonit nga takimi i Berlinit, është bërë prioritet rajonal për investime kryesisht për infrastrukturë … për të mbështetur agjendën politike të procesit të Berlinit, Bashkimi Evropian ka alokuar përafërsisht 1 miliardë euro për bashkëfinancim të projekteve të infrastrukturës që përfshijnë rajonin”, tha ai.

Ky takim do të vazhdojë edhe nesër ku do të diskutohet për projektet që pritet të financohen nga IPA. Programi i IPA-së, si instrument i asistencës Para-Anëtarësimit është mekanizëm që përfshin vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button