Instituti i Historisë i Tiranës promovoi në USHT botimet e fundit

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, u promovuan sot botimet e Institutit të Historisë nga Tirana, të Qendrës së Studimeve Albanologjike, të publikuara gjatë viteve 2012-2013. Në këtë promovim, përpos një numri të madh të studentëve dhe stafit akademik të USHT-së, morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të universitetit, të udhëhequr nga Rektori, Vullnet Ameti, si dhe drejtuesit e Institutit të Historisë nga Tirana, në krye me drejtorin e këtij Instituti, Akademik Beqir Meta.

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e promovimit të librave të botuara nga Instituti i Historisë në Tiranë, gjatë viteve 2012-2013, theksoi se, “librat apo monografitë nga fusha e historisë shkruhen për t’i sjellë të vërtetat e periudhave të ndryshme, për të cilat, historianët u referohen fakteve dhe dëshmive historike dhe vlerësojmë se, veprat që sot i promovojmë janë të këtij niveli shkencor”.

Më pas, rektori Ameti, theksoi se USHT e çmon lartë rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Institutit të Historisë për studimin e historisë së popullit shqiptar, brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, që nga lashtësia deri në ditët e sotme, si dhe për përgatitjen dhe botimin e përmbledhjeve dokumentare, monografive; si dhe organizimin e veprimtarive shkencore si, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, konferenca shkencore, që hedhin dritë mbi historinë e zhvillimeve politike, ekonomike-shoqërore, kulturore e diplomatike të Shqipërisë në shkallë ballkanike, evropiane dhe më gjerë.

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, me këtë rast edhe një herë potencoi angazhimin e USHT-së që arsimit dhe kërkimit shkencor t’i japë rolin që i takon. “Ne, në këtë drejtim kemi përmbushur disa nga objektivat tona dhe i kemi vënë vetes për detyrë që të vazhdojmë edhe në të ardhmen të realizojmë një agjendë të ngjeshur aktivitetesh kulturore e shkencore. 

Në emër të Institutit të Historisë i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, të pranishmit i përshëndeti drejtori i këtij Instituti, Akademik Beqir Meta. Akademiku Meta, shprehu kënaqësinë e tij dhe të bashkëpunëtorëve nga Instituti i Historisë në Tiranë, për bashkëpunimin e frytshëm dhe intensiv të këtij Instituti me USHT-në, por siç tha edhe me të gjitha institucionet tjera kërkimore-shkencore.

“Trajektorja që ka pasur Universiteti Shtetëror i Tetovës, është jashtëzakonisht shpresëdhënëse për këto 20 vite sa funksionon dhe shihet se tani më ka një udhëheqësi të sigurt dhe jashtëzakonisht të përkushtuar. Pikërisht për këto arsye, zgjodhëm USHT-në, për të bërë promovimin e këtyre botimeve të Institutit të Historisë”, tha drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Akademik Beqir Meta. Ai, po ashtu ofroi edhe ndihmën gjithëpërfshirëse të institucionit që drejton ai, për kuadrin e USHT-së. 

Lajme të ngjashme

Back to top button