63 herë e refuzuan për punë, tentoi për t’u vetëdjegur në mes të Prishtinës

Kishte aplikuar për punë 63 herë dhe asnjëherë nuk kishte pasur sukses. Në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, qytetari me iniciale V. B., bashkë me dy persona të tjerë tentuan t’i vënë flakën vetës para Ministrisë së Punës.

Për të parandaluar publikimin e këtij rasti në media, zyrtarët bllokuan hyrje-daljet e kësaj ministrie. Megjithatë, pas disa orë diskutimesh, tre qytetarët pranuan të flasin për Top Channel, por në kushte anonimati.

Rebelimi i tre qytetarëve kishte ardhur pasi gjashtë muaj më parë ata ishin pranuar në punë në KEK, por më vonë që të tre ishin hequr nga lista duke u zëvendësuar me të tjerë persona.

“Kam ardhur dhjetëra herë, që kur më kanë premtuar vendin e punës. Kam qenë në oborrin e Ministrisë dhe kam ndenjur si njeri i pavlerë. Fëmijët e mi dalin e lypin. E di që na kanë hequr prej liste dhe kanë marrë të tjerë”, thotë njëri prej tyre.

“Nuk është realizuar premtimi. Më kanë thënë jo sot, po nesër, në një kohë kur gjendja ekonomike në familjen time është shumë e rëndë. Kam 6 fëmijë, kështu që mendova të ndërmarr një hap shumë të vështirë”, tregon tjetri.

Ky vendim ekstrem u parandalua nga drejtori për punë dhe mirëqenie sociale, Defim Rifaj. Ky i fundit iu premtoi tre qytetarëve se do të shikojnë të gjitha mundësitë, në bashkëpunim me KEK-un, për punësimin e tyre deri të premten e ardhshme. / Koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button