Gruevski flet për solidaritet, Pack: Maqedonia nuk ishte solidare me Kosovën

Në Konferencën ndërkombëtare të lëvizjes Pan-Evropiane, “Evropa ndërmjet vlerave dhe sfidave” e cila u mbajt sot në Ministrinë e jashtme të Maqedonisë, kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski tha se është dëshpërues fakti që emri me Greqinë u shndërrua në problem kyç duke theksuar se Maqedonia ka bërë shumë në rrugën e saj drejt euro-integrimeve. 

Por, sipas tij, sjellja joevropiane e një anëtareje të BE-së, duke aluduar në Greqinë, që nuk e ka marrë parasysh solidaritetin si princip evropian, nuk e ka lejuar integrimin e Maqedonisë në BE.

“Kemi situatën ku një vend kandidat, me vetëdije ose pa vetëdije shkon kundër vlerave të Unionit si për shembull solidariteti, respektimi i dallimeve, ideja për bashkësi të vendeve në Union si dhe parimet që kanë të bëjnë me respektimin e dinjitetit njerëzor dhe sundimin e të drejtës.”, tha Gruevski.

Pas tij, fjalën e mori euro-deputetja Doris Pack, duke thënë se ajo është një mbështetëse e integrimit te Maqedonisë ne BE dhe se ketë e ka thëne publikisht edhe në Greqi duke  e kritikuar sjelljen e saj.

“Por, solidaritetin nuk mund ta kërkoni vetëm nga të tjerët, solidariteti është vlerë e përbashkët e cila duhet dhënë dhe duhet pritur nga tjetri. Në këtë rajon ka shumë probleme, veçanërisht fqinji i Maqedonisë, Kosova. Më kujtohet se në takimin e fundit në Ohër, presidentja e Kosovës nuk u ftua nga ana e presidentit të Maqedonisë. Ky nuk është solidaritet. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Nëse doni të jeni të dobishëm ndaj njëri tjetrit, pasi edhe Maqedonia ka një problem të tillë, ne duhet të tregojmë kujdes ndaj miqve dhe fqinjëve tanë”, tha Pack duke i replikuar kështu fjalimit paraprak te Gruevskit.

Ajo tha se kontesti i emrit duhet të zgjidhet paralelisht me negociatat për BE sepse ky kontest mund të krijojë edhe probleme të reja ndëretnike në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button