Atletico, hija e Barçës

Atletico Madrid i qëndron si hije nga pas Barcelonës, duke regjistruar fitoren e 10-të, po aq sa katalanasit por me një pikë më pak pas takimit të javës së 11-të në fushën e Granadas. Në “Los Cármenes”, të besuarit e Diego Simeones u shfaqën efikas por jo brilante në lojën e tyre, me vendasit që ishin më dominues në 45 minutat e para të takimit.

Avantazhi për madrilenët vjen në minutën e 38-të nga këmbët e Diego Costas që e çon në 12 numrin e golave, duke kaluar kështu shifrën e 11 realizimeve të Cristiano Ronaldos. Braziliani i cili mes polemikash vendosi të luajë për kombëtaren spanjolle shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit, e akorduar nga gjyqtari Gonzalez Gonzalez pas ndërhyrjes së mbrojtësit Mainz ndaj David Villas.

Edhe goli i dytë për bardhekuqtë e Madridit vjen sërish nga pika e penalltisë dhe përsëri si rezultat i një ndërhyrje ndaj Villa Maravillas. Këtë radhë asturiani e mori vetë përsipër të shënojë përballë portës së Robertos dhe nuk gabon. Dinamika mbetet e pandryshuar në pjesën e dytë, më shumë posedim i topit nga Granada, që kalon rrezikshëm mesfushën, por mbrojtja e fortë e Atleticos ia bën të vështirë depërtimin për të kërcënuar Courtois. 

Minutat e fundit bëhen edhe më dramatike me Roberton që shmang një gjuajtje të rrezikshme të Raul Garcias, ndërsa Filipe Luis merr kartonin e dytë të verdhë për prekje të topit me dorë dhe e lë Atleticon me 10 lojtarë në fushë. Takimi komplikohet edhe më shumë për madrilenët me golin e Ighalos që ngushton diferencën në shtesë. Djemtë e Simeones përpiqen të fitojnë sa më shumë kohë deri në fërshëllimën e arbitrit, që vulos mes ethesh fitoren pa shkëlqim të Atleticos së Madridit.

Lajme të ngjashme

Back to top button