PËR FRYMË PAJTUESE

Dilema që më del përpara sa herë ulem të shkruaj për vakitë e shkretishtes, e cila e koncepton veten për superfuqi, është pamundësia e shmangies së rishkrimit të asaj që e kam publikuar para 10, para 20, para 30 vitesh… Kaq e njëtrajtshme rezulton të jetë kjo jeta jonë përgjatë gjysëmshekullit, prej kur jam i dënuar të rroj brenda hamamit, në të cilin, para meje, kanë lindur për ta ngrysur jetën edhe të mallkuar të tjerë nga Zoti a nga djalli. Kush e merr vesh?

I njëjti mekam i pashpresës, e njëjta kambanë kobndjellëse bie për mua, ty, ne…

I njëjtë është dhe regjizori i së keqes, që mbjell frymë xhehenemi para masave të shushatura kllapie, i gatshëm të sakrifikojë gjithkë për shpëtimin e prapanicës personale, të përlyer keq nëpër afera tipike despotësh.

Pa dyshim, stinë e keqe është kjo – devër pikëpyetjesh të shumta me përgjigje hipotetike opinionistësh, që e përndjejnë se konfliktet e mundshme me pasoja katastrofale kësaj here burojnë nga ndeshja e mamutëve të mëdhenj të globit, të cilëve s’ua nin palla as për ne as për dikë tjetër. Të tillët kanë për zot kapitale dhe interesa të mëdha, para të cilëve ne nuk jemi asgjë më shumë se ballkanas dhe fundërrina të kësobotshme, të kundruar gjithmonë me dioptri stereotipesh shekullore. Megjithatë, përtej moskokëçajes së tyre për fate njerëzish, mbi kokat tona qëndron gijotina e kryefaraonit të kurgjësë, të shndërruar në vegël putiniste, me idenë e nënshtrimit të plotë të “indianëve” autoktonë, interesi i të cilëve nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë në unison me ekspansionizmin rus, të demonstruar së fundmi në katrahurën ukrainase.

Situata edhe ashtu e tensionuar është përkeqësuar pas tragjedisë së Kumanovës dhe aksionit policor të ndodhur në mesin e një lagjeje të populluar me 20000 fëmijë, gra, pleq dhe skamnorë të mbetur sot pa kulm mbi kokë, por “të sistemuar” për marre të Zotit në hotelin e braktisur e të rrënuar kohe më zi se shtëpitë e tyre gërmadha hiroshime në Lagjen e trimave.

Jemi keq të dashurit e mi, sepse regjizorët e asaj që ndodhi dhe asaj që mund të ndodhë çdo moment nuk hjekin dorë nga disiplinimi i pa kusht i fajtorëve rezervë për të gjitha zgjebet e sistemit të kalbur, që ndanë njerëzit në padronë dhe rajë. Përkundrazi: parakalojnë me hekur e çelik dhe shesin karshillëk nëpër vendbanime njerëzish pa ide konfliktesh në kokë, që hallin më të madh e kanë sigurimin e bukës së gojës dhe ekzistencës së thjeshtë fizike .

Në këso zallamahishë të frikshme më duken idiote zënkat ndërvëllazërore të viktimave, klithmat turfullonjëse: mos u merrni fare me  tjetrin, se fajet janë tonat…

Dreqi ta hajë! Kush nuk e di se për të gjithën faje të mëdha kanë të zgjedhurit tanë, bashkë me shtresën e vetëquajtur elitare të etnisë, e cila do të duhej të ishte më pak interesaxhie e heshtake dhe më shumë vizionare e kritikuese e udhëve qorre me pasoja të pariparueshme kollaj. Por, kush nuk e di gjithashtu se aktualisht nevojë mbi nevojat është pragmatizmi, jo fletërrufetë që thellojnë hullitë përçarëse dhe bllokojnë shtigjet e përafrimit të koncepteve, qëndrimeve dhe qasjeve diametralisht të kundërta që kanë shqiptarët për dalje nga kjo situatë e rrezikshme.

Shi për këtë: apeloj për mendje të esëllt kolektive, për frymë pajtuese ndërshqiptare, për qetësim zhurmuesish e kakofonishë, për bashkërenditje vullnetesh, energjishë dhe udhësh që do t’na nxjerrin përtej gjendjes, të cilën nuk guxojmë t’ua lëmë trashëgim fëmijëve dhe nipërve tanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. I nderuari Fatmir,
    Shrimet qe po i publikon jan krejtesisht me vend.
    Kur the se : mos u merrni fare me tjetrin, se fajet janë tonat…
    Ke krejtesisht te drejt. Shume analist te ksaj krize e cila e ka perfshi Maqedonijen, japin mendimet e vete po nuk marin asnje veprim per te ber dicka.
    John F. Kennedy’s ka thane: “Ask not what your country can do for you…” Por
    Ask what you can do for your country’
    Me duket se momentalisht gjith shqiptaret presin prej qeverijes se do te bejne ata dicka per popullin.
    Kete duhet ta harojm sa me shpejt . Kur e them kete e them pse shqiptaret ne maqedonije nuk kane politikan por kan njerez qe vetem luftojn per nje karike ne qeverij dhe prej asaj ulse mundohen tja hane shpirtin popullit dhe ti mbushin xhepat e vet. Interesi vetem pasurija materijale.
    Ne si popull momentalisht jemi te paralizuar. Xhdo jave po publikon Zajevi Bombat me permbajte renqethse po cka bejne shqiptaret. Veten po heshtin. Heshtin dhe si duket po i thone vetes po kete e kemi dijt ne. E vertet ashte qe ne shum gjera i dijm.
    Ne momentin kur Meduh Thaci i tha: Sasho do smrt sum so tebe…. Cka ben shqiptaret?
    Ka shume momente ku populli a dashte te tregohet se ket gje nuk e toleron.
    Gjitashtu tij po apelon : apeloj për mendje të esëllt kolektive, për frymë pajtuese ndërshqiptare, për qetësim zhurmuesish… etjera
    Jo, jo ketu pres nga intelegjenca shqiptare te organizohet dhe ti tregoj popullit, se gjer tash ata jan duke u udhhequr nga njerezit, qe thel ne shpirtin e vet e mban trathijn ndaj popullit shqiptar.
    Duhen debate te ashperta ku udheheqesive tan do ju kriset maska qe mba ata. Megjithse ne mendojm se kete qe po e ndegjojm dhe e lexojm ashte nje trathit e madhe ndaj popullit po une jam i medimit se udhheqesit si ato shqiptar apo maqedon mban edhe shume ma shume trathetina msheftas se sa ne mundemi ti paramendojm.
    Te pershendes
    Bashkadhetari

Back to top button