Evropianët shqetësohen me qasjen e Thaçit ndaj EULEX-it

Përpjekja e Qeverisë së Kosovës që prej qershorit të vitit të ardhshëm t`ia heqë kompetencat ekzekutive EULEX-it, po i shqetëson zyrtarët evropianë.

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për përfundimin e këtij misioni dhe deklaratat e kryeministrit por edhe zyrtarëve tjerë të qeverisë sa herë që ka ndonjë ndjekje të EULEX-it për krime lufte, po vlerësohen si përpjekje të drejtpërdrejta të Qeverisë së Kosovës që të heqë qafe misionin e BE-së për sundimin e ligjit.

“Qeveria po e ndërlidh dhe po përpiqet që procesin e ristrukturimit të EULEX-it ta përdorë për ta hequr qafësh misionin”, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë evropian në kushte anonimiteti.

Ky diplomat, që vjen nga njëri prej shteteve më të fuqishme anëtare të BE-së, ka thënë se shtetet anëtare që e mbështesin pavarësinë e Kosovës janë kategorike që misioni i BE-së për sundimin e ligjit t`i mbajë kompetencat ekzekutive në luftën kundër korrupsionit por edhe në ndjekjen e krimeve të luftës. Misioni i EULEX-it pritet që pas autorizimit që do të marrë në janar nga shtetet anëtare, të nisë ndryshimin e prezencës së vet./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button