Ndryshon konventa e KiE-së për parandalimin e terrorizmit

35 ministra të Jashtëm të kontinentit europian dhe 7 sekretarë shtetesh kishin konfirmuar pjesëmarrjen në Bruksel, për aktivitetin përmbyllës të Presidencës belge të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, të titulluar “Përgjegjësia e ndarë për një siguri demokratike në Europë”, ku u shfaq dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, i cili shfrytëzoi mundësinë për takim të veçantë me kryediplomatin rus, Lavrov.

Një protokoll shtesë ndaj konventës për “parandalimin e luftëtarëve të huaj” u firmos nga 44 ndër 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës, i cili detyron ligjërisht shtetet pjesëmarrëse të ndalojnë veprime të ndryshme, përfshirë pjesëmarrjen e qëllimshme në një grup terrorist, marrjen e trajnimit për terrorizëm dhe faktin e daljes jashtë vendit për qëllime terroriste.

Me këtë protokoll krijohet dhe një rrjet i shkëmbimit të shpejtë dhe të pandërprerë të informacionit në vendet pjesëmarrëse. Protokollit shtesë i bashkëngjitet edhe deklarata politike e ministrave europianë, si dhe një plan veprimi për periudhën 2015-2017, i cili ka dy objektiva kryesorë: forcimin e kuadrit ligjor kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe parandalimin e luftën ndaj radikalizimit të dhunshëm, përmes masave konkrete në sektorin publik, sidomos në shkolla e në burgje, por dhe në internet.

Komiteti i ministrave shqyrtoi dhe raportin mbi gjendjen e demokracisë në Europë, të prezantuar nga Sekretari i Përgjithshëm i KiE, Jagland, i cili nxjerr në pah dy probleme kyçe: mungesën e një sistemi gjyqësor profesional dhe kërcënimet që has liria e medias.

Në përfundim të takimit, Belgjika ia kaloi Bosnjes Presidencën e Komitetit të Ministrave të KiE për 6 muajt e ardhshëm, e që do të pasohet në nëntor nga Bullgaria, për të vijuar më pas me Estoninë e Qipron./ Top Channel

 

Lajme të ngjashme

Back to top button