Haradinaj kundër Task Forcave antikorrupsion

Kreu i AAK’së ka thënë se vendi ka nevojë për mekanizma të qëndrueshëm shtetëror e jo për diçka ad hoc.

Lideri i AAK’së Ramush Haradinaj ka folur për cështjen e sundimit të ligjit në një tryeze që ka organizuar partia e tij.

Duke folur para përfaqësuesve të shoqërisë civile, ekspertëve, njohësve të fushës së sigurisë dhe të aspekteve ligjore, Kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj ka thënë se sundimi i ligjit është prioritet mbi prioritetet.

Ai ka thënë se në vizionin e AAK-së për të ndërtuar një Qeverisje efektive dhe të bazuar në sundimin e ligjit, AAK ka tri parime themelore të cilat janë të panegociueshme:

“Parimi i parë: Duhet të ndërtojmë një Qeveri me duar të pastra dhe të lira. Ministrat duhet të jenë të papërfshirë dhe të papërfolur për afera korruptive. Udhëheqësit e mekanzimave shtetërorë të pastër dhe me duar të lira”, ka thënë kryetari Haradinaj.

Kryetari Haradinaj ka thënë se parimi i dytë nënkupton se duhet të fuqizojmë dhe të reformojmë institucionet e zbatimit të ligjit. T’i fuqizojmë në aspektin buxhetor, njerëzor dhe profesional. Ndërsa t’i reformojmë në aspektin legjislativ, infrastrukturror dhe profesional.

“Ne nuk besojmë në mekanizma të përkohshëm apo mekanzima ad hoc. Pra, jo sikurse është bërë praktikë të themelohen shumë Task-Forca. Ne kemi nevojë për mekanzima shtetëror të qëndrueshëm”, tha Kryetari Haradinaj, transmeton express.

Duke folur për parimin e tretë, Kryetari Haradinaj tha se do të ndërtohet një bashkëpunim gjithëpërfshirës, me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë, sikurse edhe me shoqërinë civile, institutet hulumtuese dhe mediat.

Kryetari Haradinaj ka thënë se duke ndërtuar Qeveri me duar të pastra dhe të lira, në Kosovë do të mundësohet reduktimi i korrupsionit deri në shkallën më minimale në rajon dhe në Evropë, luftimi i krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative në Kosovë.

“Do të ndërtojmë një nivel të lartë të sundimit të ligjit ku drogat nuk prodhohen e sillen nëpër Kosovë, ku trafikimi me qenie njerëzore merr dënim maksimal shtetëror, ku afaristët nuk frikësohen nga grupet kriminale, fëmijët nuk frikësohen të shkojnë në shkollë, siguria në trafik rritet maksimalisht dhe qytetarëve nuk u vidhet shtëpi apo banesa”, ka thënë Kryetari Haradinaj.

Ndërkaq, udhëheqësi i Departamentit për Siguri dhe Sundim të Ligjit në kuadër të AAK-së, Sekretari i Përgjithshëm Burim Ramadani, ka thënë se AAK-ja ka organizuar këtë Tryezë të Rrumbullakët me qëllim të trajtimit profesional të sfidave, problemeve dhe të metave në fushën e Sundimit të Ligjit në Kosovë gjatë vitit 2013, si dhe identifikimin e veprimeve kryesore që duhet të ndërmerren gjatë vitit 2014.

Tryeza është ndarë në katër tematika kryesore: 1) Krimi i Organizuar dhe Korrupsioni; 2) Sundimi i Ligjit dhe Ekonomia; 3) Sundimi i Ligjit dhe Integrimet Europiane; dhe 4) Sundimi i Ligjit dhe Drejtimi i Politikave.

“AAK ka mbledhur në këtë Tryezë njohësit më të mirë në Kosovë të fushës së sundimit të ligjit dhe rekomandimet e dala nga kjo tryezë do të përfshihen në programin e AAK-së, politikat dhe qëndrimet publike të AAK-së”, ka thënë Ramadani.

Lajme të ngjashme

Back to top button