Skender Asani promovoi librin “Çaulevi dhe vepra e tij për Shqipërinë”

Sot në Librarinë e Çarshisë në Shkup, u promovua libri më i ri i Dr.Skender Asanit, “Çaulevi dhe vepra e tij për Shqipërinë”. Sipas promotorit, Sevdail Demiri, Petar Çaulevi është një figurë e shquar historike, e cila së fundi është bërë e njohur edhe me vendosjen e monumentit të tij në sheshin e Shkupit, pikërisht përballë monumentit të Skënderbeut. Ndërsa, vetë Çaulevi në këtë vepër të tij për Shqipërinë, shkruante me admirim të madh për figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve, Skenderbeut, dhe rolin e tij në mbrojtjen e civilizimit evropian.

Caulevi 3

Autori Skender Asani, tha se sipas kujtimeve të shkruara të bashkëkohanikut të tij, Milan Matov, Çaulevi rridhte nga një familje shqiptare ortodokse toske nga jugu i Shqipërisë, e cila ishte vendosur në Ohër në shekullin e XIX. Për përkatësinë etnike të Petrushit flet vetë veprimtaria e tij revolucionare, trimëria e treguar nëpër fushëbeteja në Strugë e Ohër, koordinimi me Qeverinë e përkohshme të Vlorës dhe qëndrimi i tij në Shqipërinë Londineze pas shuarjes së Kryengritjes së Shtatorit të vitit 1913. Për të bëmat e tij në fushëbetejat në rajonin Dibër-Strugë, flasin edhe dokumentet e Qeverisë së Përkohshme e Vlorës. “Petar /Petrush/ Çaulev (1880 – 1924), ishte një veprimtar i njohur nga Ohri, i cili i përkiste një brezi aktivistësh, të cilëve iu desh që tërë jetën t’ia kushtojnë koncepteve revolucionare. “Ai është figura kryesore që do të jetë urë lidhëse ndërmjet Organizatës Revolucionare Maqedonase me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vitin 1912, me Qeverinë e Ismail Qemalit në vitet 1912 – 1913, dhe me Komitetin e Kosovës në vitet 1919 – 1924, dhe ky angazhim i tij do të kulmojë me veprën e shkruar për Shqipërinë. Ai gjatë veprimtarisë së tij revolucionare angazhohej kundër hegjemonisë serbo – greke ndaj këtyre territoreve. Ndërsa,  gëzonte përkrahjen e pa rezervë të LKSH-së, Qeverisë së udhëhequr nga Ismail Qemali dhe Komitetit të Kosovës”, theksoi Asani.

“Vepra ka brenda gjëra mjaftë interesante dhe realiste për Shqipërinë në ato vite. Me njohuritë e thella, përvojën dhe përjetimet jetësore, autori i librit “Skipnia”, Petar Çaulev, i përshkruan në mënyrë të thukët dhe shumë realiste të gjitha ngjarjet në Shqipëri duke depërtuar deri në thelbin e ngjarjeve dhe dukurive. Syrit të tij të vëmendshëm, si çdo njeri i dashuruar me popullin e tij dhe vendlindjen (ishte shqiptar ortodoks nga Ohri – por pas vitit 1913, për shumë vite jetoi e veproi në Shqipëri), si shpëtojnë as gjërat më të vogla, të cilat me mjeshtri do t’i vlerësojë, gjykojë dhe do t’i evidentojë në punim”, u tha nga leximi i recensionit të Prof.dr.Nebi Dervishi.

Ndërsa, recensenti tjetër i veprës në fjalë, Prof.dr.Ylber Sela, tha se ky libër, që i kontribuon historiografisë shqiptare, është një tekst i zeitgeist-it shqiptar, është një anatomi e çështjes shqiptare, një antologji e kauzës shqiptare të fillimshekullit të kaluar. “Kujtoj se kjo vepër Çaulevit tanimë e shqipëruar do të shndërrohet në një publikim referencial për gjithë ata që duan të mësojnë për veten dhe entitetet tjera përreth, për mënyrën e qeniesimit shqiptar dikur, për të gjetur kursin e qeniesimit sot, kur lëmshit shqiptar i është gjetur skaji dhe kemi filluar që ta bëjmë top, duke u njohur më mirë mes vete, duke i afruar përbashkësitë dhe duke shpresuar në një të ardhme më të ndritur se shekulli i errët XX që trungun shqiptar e parcializoi dhe atrofoi sa s’bën!”, u shpreh Sela.

Në këtë promovim u hap edhe një debat i gjerë lidhur me figurën e Petar /Petrush/ Çaulevit dhe veprimtarinë e tij, me çka u konkludua se kjo figurë duhet edhe më tej të hulumtohet dhe studiohet në mënyrë më komplekse nga të gjitha aspektet.

Botues i librit të Skender Asanit: “Çaulevi dhe vepra e tij për Shqipërinë”, është Libraria e Çarshisë në Shkup.


 

Sot me fillim në orën 11:00 në hapësirat e Librarisë së Çarshisë do të mbahet promovimi i librit nga dr. Skender Asani, i titulluar “Çaulevi dhe vepra e tij për Shqipërinë” – (Petar Çaulev – Skipnia).

Lajme të ngjashme

Back to top button