Protesta tregoi unitetin e gjitha bashkësive etnike

Protesta e djeshme, e organizuar nga opozita, tregoi se çfarë përmban në të vërtetë Marrëveshja e Ohrit (MO). Kështu deklaron analisti Nano Ruzhin, i cili shton se qytetarët i dhanë mesazh jo vetëm Gruevskit por të gjitha subjekteve politike, se ata duan bashkëjetesë dhe mbi gjitha shoqëri demokratike.

“Mendoj se mbrëmë e pamë Maqedoninë e Marrëveshjes së Ohrit, të bashkuar, njerëz nga bashkësi të ndryshme të cilët të bashkuar, me krenari dhe dinjitet, porositën Qeverinë dhe Gruevskin se shteti nuk mund të drejtohet nga një person autoritar, një person që i nënçmon shqiptarët e romët, person me dosje kriminale, përfshi këtu edhe historinë e tij me skenarë të dyshimta, përfshi këtu edhe atë të fundit në Kumanovë. Pas ngjarjeve në Kumanovë, protesta e djeshme ishte një test për Marrëveshjen e Ohrit dhe Maqedoninë shumë etnike. Më vjen mirë që këtë test e kaluam gjithë së bashku”, tha Nano Ruzhin, Analist Politik.

Edhe analisti Naser Ziberi konsideron se protesta e djeshme tregoi unitetin e gjitha bashkësive etnike në Maqedoni, duke shtuar se sa më shpejtë që Gruevski të japë dorëheqjen, aq më shpejt do të dilet nga kriza politike.

“U dhanë porosi të qarta. Jo vetëm që qytetarët nuk pajtohen me këtë Qeverisje, por porositën dhe dhanë mesazhe edhe për Qeveritë e ardhshme, se qytetarët do të jenë vigjilent, syçelur dhe protestues për të gjitha Qeveritë që ushtrojnë pushtet të tillë. Ai tani përballet me të gjitha segmentet e shoqërisë, gazetarët, të papunët, OJQ-të, qytetarët e përkatësive të ndryshme etnike, pra me një revoltë gjithë popullore. Mesazhi i dytë ishte që Gruevski nuk guxon ta vonojë dorëheqjen e tij. Sa më tepër që e shtyn përgjegjësinë për pushtetin e deritanishëm, aq më e rëndë do të bëhet situata për të”, u shpreh Naser Ziberi, Analist Politik.

Dy analistët vlerësojnë se kundër-protesta e sotme e thirrur nga Kryeministri Gruevski, është më shumë protestë e institucioneve të Maqedonisë se sa protestë e cila reflekton mbështetjen e qytetarëve për qeverisjen aktuale. Ruzhin dhe Ziberi shtuan se kjo mbështetje realizohet si pasojë e kërcënimeve dhe presioneve ndaj të punësuarve nëpër institucionet shtetërore. /Alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button