Berat Jakupi mbetet i pamposhtur!

Karateisti shqiptar Berat Jakupi konfirmon se s’ka konkurencë të denjë në vend, duke arritur të fitojë bindshëm titullin e kampionit të Maqedonisë në kategori të juniorëve të vjetër. Në Kampionatin shtetëror që u zhvillua në palestrën sportive në Gazi Babë të Shkupit, Jakupi në kategorinë +78 kilogram në luftën e parë mundi 8:0 garuesin e Klubit të Karatesë ‘Samurai’, në luftën e dytë sërisht 8:0 fitoi ndaj garuesit të Klubit të Karatesë ‘Mak Petrol’, ndërsa në finale triumfoi 5:0 përballë një tjetër garuesi të ‘Mak Petrolit’.

Ky është suksesi i rradhës i Jakupit, që vërteton se s’ka kush e ndal në kampionatin vendor. Javë më parë gostivarasi fitoi medalje të bronzit në Kampionatin Botëror të karatesë që u zhvillua në Spanjë, ndërsa tani me triumfin në kampionatin shtetëror paralajmëron suksese të reja. Pas dy javëve do të zhvillohet play-offi në të cilin sipas sistemit të garave berger do të zgjidhen anëtarët e përfaqësueses së Maqedonisë, të cilët do të fitojnë të drejtën të marrin pjesë në Evropianin e karatesë për juniorë, që do të zhvillohet në shkurt të vitit të ardhshëm në Lisabon të Portugalisë.

Pikërisht evropiani i Lisabonës është caku i rradhës dhe Jakupi së bashku me trajnerin e tij Arlind Huseinin veç më kanë kthyer orientimin kah ky eveniment. Fakti që trajneri i Jakupit, Huseini, është edhe seleksionues i kombëtares U-21 të Maqedonisë është pozitive për Beratin, pasi kjo gjë u jep mundësi që të jenë gjatë gjithë kohës së bashku dhe të përgatiten sa më mirë për sfidat e rradhës. /Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button