Shpendi me “shpullën” e parë ndaj VV-së: Nuk i largoj simbolet nga Komuna

Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar “shpullën” e parë për partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje. Ai në një interviste për Epoka e Re ka thënë se nuk do t’i heqë nga objekti i Komunës simbolet shtetërore, pavarësisht se Vetëvendosje është kundër tyre.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka futur flamurin kombëtar në institucione, por në të njëjtën kohë ne luftojmë që politikisht dhe institucionalisht ta ndërrojmë simbolin në gjithë shtetin, sepse ai flamur nuk e përfaqëson vullnetin e popullit.

Nuk mendoj se çështjen mund ta zgjidhim nga bishti. Ani pse edhe tani flamuri kombëtar është në Komunën e Prishtinës, megjithatë stema dhe gjërat e tilla do të mbesin, për shkak se ato i rregullon niveli qendror. Një gjë e tillë i mbetet Kuvendit të Kosovës. Do të vazhdojmë t’i përdorim simbolet që janë edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka mohuar se ka pasur marrëveshje të fshehtë në mes të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës për ta mbështetur atë në balotazh, ndërsa duke ironizuar me deklarimet e anëtarëve të LDK-së se është përkrahur nga PDK-ja, Ahmeti ka thënë se është votuar edhe nga elektorati i LDK-së.

“Unë kam pasur votues edhe nga LDK-ja. A i bie kjo që kam pasur marrëveshje me disa degë të LDK-së në Prishtinë? Jo”, është shprehur Ahmeti,

Ai gjithashtu është shprehur i bindur se do t’i realizojë premtimet e dhëna gjatë fushatës.

“Për mua si kryetar janë të rëndësishme ato 12 zotimet që i kemi dhënë gjatë fushatës. Kjo nuk do të thotë se tash jam i mbyllur ndaj pjesëve të programeve që janë të mira, nuk po them të Isa Mustafës, sepse ne kemi qenë për ndryshime”, ka deklaruar i dyti i Vetëvendosjes.

Më tutje, Ahmeti ka premtuar se gjatë mandatit të tij të parë do ta nxjerrë Ligjin për Prishtinën dhe se do të bashkëpunojë në mënyrë institucionale dhe transparente me kryeministrin e Kosovës, me të cilin Vetëvendosja ka kohë që “nuk flet”. /koha/

Lajme të ngjashme

Back to top button