Erdogan nesër në Shqipëri, inaugurohet nisja e punimeve për xhaminë e Namazgjasë

Nesër në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë do të organizohet ceremonia e hedhjes së themelit dhe nisjes së punimeve të xhamisë së Namazgjasë së Tiranës, e cila do të jetë më e madhja në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hedhjes së themelit të kësaj faltoreje do të marrin pjesë, presidenti i Republikës së Turqisë, Reccep Tayyip Erdoğan, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë, Prof. Dr. Mehmet Görmez, kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, diplomatë të akredituar në Tiranë dhe të tjerë të ftuar.

Në një pronocim për Anadolu Agency (AA), kryetari i dytë i Fondacionit të Çështjeve Fetare të Turqisë, Mazhar Bilgin tha se ndodhet në Shqipëri për ti dhënë fund pritjes për një faltore të tillë pasi sipas tij besimtarët muslimanë të Shqipërisë për shkak të pamundësisë prej një kohe të gjatë detyrohen të kryejnë ritet e tyre fetare në rrugë pasi xhamitë ekzistuese nuk iu përgjigjen kërkesave të tyre.

Bilgin në fjalën e tij jep detaje për projektin e xhamisë ku sipas tij  kjo faltore do të ndërtohet në një hapësirë prej 10 mijë metrash dhe do të ketë një hapësirë ndërtimi prej 5 mijë metrash.

Bilgin në fjalën e tij thotë gjithashtu se kjo ndërtesë nuk do të jetë thjeshtë një xhami, por një qendër multi funksionale, ku pjesë e saj do të jenë edhe: një sallë konferencash me një kapacitet prej 332 personash, një hapësirë me 10 klasa ku do të mësohet Kur’an-i Kerim si dhe një muze i cili do të quhet edhe ndryshe si “muzeu i bashkëjetesës”.

Mazar Bilgin i shoqëruar nga Këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Şaban İşlek kanë zhvilluar një vizitë në vendin ku po zhvillohen edhe përgatitjet dhe punimet e kësaj xhamie e cila pritet të kthehet në një simbol jo vetëm për muslimanët e Shqipërisë, por për të gjithë shqiptarët me praninë e muzeut të bashkëjetesës.

Ndërkohë nga ana tjetër në një intervistë për AA, Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar tha se xhamia ishte një nevojë për besimtarët muslimanë të Shqipërisë dhe se kjo xhami do të jetë një dhuratë e popullit turk për popullin shqiptar. Dhuratë kjo e cila sipas tij do të ndihmojë në ruajtjen e vlerave dhe traditave të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të mërkurën në kuadër të vizitës një ditore në Shqipëri, do të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Lajme të ngjashme

Back to top button