Bejta arsyeton 1.5 milion euro që i ka dhënë Çairit

Ish-Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta i ka dhënë Komunës së Çairit 1.5 milion euro edhe pse nuk ka pasur të drejtë me ligj, ka konstatuar raporti i revizionit për punën e ish-ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta. Përveç kësaj revizioni ka konstatuar edhe punësime me  kontrata për të drejtat e autorit.

Ish ministri Bejta, tani kryetar i Komunës së Gostivarit, për “Portalb”,thotë se nuk ka asgjë joligjore lidhur mjetet e lëshuara për Komunën e Çairit.  Bejta thotë se nuk është i njoftuar me publikimet e tilla për raportin e revizionit, por të dhënat që janë prezantuar më herët nuk kanë shënuar asnjë parregullsi në punën e  tij si ish Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

“Shuma e lëshuar prej 1.5 milion euro për Komunën e Çairit, është pjesë e parave që është paraparë edhe në buxhetin e shtetit për ndërtimin e sheshit në Çair. Të gjithë e dinë se buxheti i shtetit miratohet në Parlament dhe për sheshin e Çairit janë të paraparë të lëshohen gjithsej pesë milion euro. Dhënia e këtyre mjeteve nuk mund të kontestohet sepse gjithçka është bërë në përputhshmëri me ligjin”, thotë Nevzat Bejta për  “Portalb” .

Bejta thotë se “shuma prej 1,5 milion euro e lëshuar për sheshin e Çairit, ka kaluar nëpërmjet Trezorit të Ministrisë së Financave dhe nëse nuk do të ishin në përputhje me ligjin, trezori nuk do të kishte dhënë pëlqimin për ndarjen e këtyre mjeteve për Komunën e Çairit”.

Bejta, gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet për  punësimin e  personave me kontratë për të drejtat e autorit, si të paligjshme,  duke i konsideruar ato si punësime në kuadër të nevojave të ministrisë dhe në përputhje me ligjin. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button