“MONSTRA” SI KUFI FILLIM-FUNDESH

Pas aq bëmash të papërgjegjshme qeveritare me sindrome mesjete, Zaevi ka paralajmëruar se do ta shpalojë edhe të vërtetën e rastit “Monstra”, që, për shumëkë, iu faturua në rrethana të dyshimta “indianëve” – fajtorëve rezervë për gjithë përkeqësuesit e shëndetit të hajthëm të perandorisë së xhuxhëve me mendësi xhingiskanësh.

Deri në zbardhjen e vrasjes së Martin Neshkovskit, ndoshta ka pasur optimistë që i kanë besuar kastës pushtetare, të denjë për t’i prirë vetëm një gjynahu prej shteti dhe një mjerimi prej populli të frikësuar, i cili poshtërrimin dhe tredhjen e koncepton si punë kësmeti dhe vullneti hyjnor. Por tani, kur e dëgjuam me veshët tanë se si justifikohen vrasjet e qytetarëve të pafajshëm, u bë e qartë se ky vend ka mbetur peng në shputa sharlatanësh, të cilët nuk kursejnë as njerëzit e gjuhës dhe gjakut të tyre, lëre më indianët dhe ciganët e vilajetit të çudirave.

Rasti në fjalë na ka bërë ta marrim me mend më esëll psehin e asaj që ka ndodhur me ne përgjatë viteve të humbura në valavicat e tranzicionit, na ka bërë të dyshojmë një për një në të gjithë gjyqet e bëra ndaj shqiptarëve, në veçanti në rastin e ndjeshëm “Monstra”. Jo rastësisht kundër tij u organizuan protesta masive, që do të duhej të përkraheshin edhe prej etnive të tjera të vendit, para së gjithash prej maqedonasve, po kjo është temë më vete që flet për rrënjët e thella të paragjykimeve të pasqarueshme nga mendja racionale.

Por, t’i kthehemi bombës së shumëpritur të Zaevit mbi “Monstrën”, për të cilën është thënë sa e sa herë se u montua për të paraqitur shqiptarët faqe botës si fundamentalistë islamikë e si pinjollë binladenësh, kurse pushtetarët si partnerë të besueshëm të koalicionit antiterror, me çka do t’u liheshin duart e lira për qeverisjen sallamadi të vendit dhe disiplinimin shembullor të elementeve turbullues të mirëqenies së propaganduar nëpërmjet borizanëve të sistemit.

Për vete nuk kam asnjë dyshim se përzierja eventuale e politikës në vrasjen e pesë të rinjëve maqedonas në Liqenin e Smillkovës, pas së cilës pasuan arrestimet dhe dënimet e përjetshme të shumë njerëzve në rrethana jotransparente dhe të dyshimta edhe për ndërkombëtarët, do ta ndryshojë përfundimisht konfiguracionin e këtij shteti, sepse, paskëtaj, shqiptarët nuk do ta pranojnë më statusin e fajtorëve dhe viktimave të përhershme, nuk do të jetojnë kurrë më nën hikme budallenjsh, si dele të (t)ulta perëndie, si zvarranikë shtonash, si rob robërish. Aty e tutje ata mund të bashkëjetojnë me të tjerët vetëm si të barabartë tene-për-tene, pasi të jenë ndryshuar nenet diskriminuese të kushtetutës aktuale, që i trajton si pakicë kombëtare; pasi të marrin tapinë e bashkëpronësisë mbi mekanizmat mbrojtës të qenies dhe dinjitetit të tyre, të cilat nuk do të mund t’ua heqë dore asnjë malukat albanofob. Një “Monstër” e kurdisur sigurisht do t’i japë fund kënaqjes së shqiptarëve me pushtete fiktive dhe me arritje të pamjaftueshme, që, ashiqare, nuk mund të plotësojnë nevojat në rritje të etnisë, e cila nuk është më në moshë miturake.

Ma merr mendja se klasa politike shqiptare – pozitë dhe opozitë bashkë, ajo që është aktualisht në pushtet dhe ato që pretendojnë të bëhen nesër pushtet, e kanë të qartë se, pas të vërtetave eventuale për montimin e këtij rasti të rëndë dhe të dhimbshëm, gjërat do të duken ndryshe. Dhe shteti ynë i dashur, natyrisht.

Të shpresojmë se këtë e di edhe Zaevi me suitën e tij bombëshpërthyese, sepse në ndërgjegjen e shqiptarëve është i gjallë edhe kujtimi i Gostivarit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button