PPD thirrje kundër diktaturës më 17 maj, partitë opozitare shqiptare në hamendje

Partia opozitare maqedonase LSDM paralajmëroi protesta masive me 17 maj, ku kërkoi pjesëmarrjen e të gjithë atyre që janë kundër qeverisjes së kryeministrit Nikolla Gruevski. Partitë opozitare shqiptare ende nuk kanë vendosur se a do t’i bashkëngjiten protestave, mirëpo thonë se ata janë kundër qeverisjes se deritanishme, të cilën e cilësojnë si negative dhe joefikase.

Partia e vetme opozitare shqiptare që ka vendosur të marrë pjesë në protestat e 17 majit është PPD, me ç’ rast thonë se ata do të përkrahin çdo aktivitet dhe protestë e cila ka të bëjë me rrëzimin e qeverisë.

“Ne do të marrim pjesë në protestat e 17 majit, gjithashtu bëjmë thirrje që të gjithë të protestojnë dhe mendojmë se duhet përkrahur të gjitha protestat dhe aktivitetet pa rezervë, me anë të të cilave do të arrihet rrëzimi i qeverisë. Këto nuk kanë të bëjnë as me parti, etni, nacionalitet apo fe, por kanë të bëjnë me kërkesën e gjithë qytetarëve për të ndërtuar një shtet demokratik dhe të lirë. Ne do përkrahim protestat dhe do marrim pjesë deri sa ta rrëzojmë Qeverinë. Pasi të tërhiqet qeveria pastaj do shohim se çfarë do të bëhet”, tha për Portalb, Faton Aliti, nga radhët e PPD-së.

Afrim Gashi nga Lëvizja Besa thotë se ende nuk kanë marrë vendim sa i përket pjesëmarrjes në protestat e opozitës maqedonase.

“Ende nuk kemi marrë vendim se do të marrim pjesë në protestat e opozitës maqedonase. Gjërat janë duke ndodhur shumë shpejtë dhe në mënyrë dinamike andaj duhet menduar mirë. Sa i përket qeverisë, ne kemi thënë dhe vazhdojmë ta potencojmë se vetëm me dorëheqjen e kësaj qeverisje ne mund të dalin nga kriza politike në të cilën jemi zhytur tani më një kohë të gjatë”, tha Gashi për Portalb.

Veser Memedi nga radhët e RDK-së thotë për Portalb, se gjatë javës qe vjen do të mblidhet kryesia e kësaj parti ku do të merret vendimi për pjesëmarrjen në protestat e 17 majit.

“Ende nuk kemi qëndrim lidhur me pjesëmarrjen në protesta, por javën e ardhshme do të mblidhet kryesia e RDK-së, ku do të vendosim se a do të bashkohemi edhe neve”, tha Memedi.

Kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Zijadin Sela tha se shqiptarët dhe maqedonasit ashtu siç nuk janë të barabartë para kushtetutës dhe ligjeve nuk mund të jenë të barabartë akoma edhe para protestave ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Gjithkush mund të protestojë para një qeverie anti qytetare dhe antidemokratike, por shqiptarët dhe maqedonasit ashtu siç nuk janë të barabartë para kushtetutës dhe ligjeve nuk mund të jenë të barabartë akoma edhe para protestave ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Shqiptarët janë të interesuar qe kjo qeverisje VMRO-BDI të shkojë në histori por nga ana tjetër më shumë se kaq janë të interesuar të rregullojnë përfundimisht përdorimin e gjuhës shqipe në gjithë shtetin, ndarjen e drejtë dhe proporcionale të buxhetit vendimmarrjen tërësisht konsensuale me formën e parlamentit dydhomësh dhe një pushtet lokal tërësisht të decentralizuar. Derisa nuk dëgjojmë publikisht nga kush do qoftë politikan jo shqiptar që të jenë të interesuar për të gjithë këta çështje atëherë nuk kemi pse të shpresojmë diçka. Shqiptarët nuk janë të interesuar që të rrëzojnë një qeveri antishqiptare dhe ta zëvendësojnë atë me një qeverisje tjetër më pak ose më shumë antishqiptare”, tha Sela për Portalb.

Kurse nga partia opozitare PDSH nuk arritëm që të marrim informacion se a do të merr pjesë në protestën e 17 majit.

Lajme të ngjashme

Komentet

Back to top button