Venizelos ka kërkuar nga Ahmeti të mbyllet çështja e emrit

Greqia gjithmonë do të jetë në dispozicion dhe do ndihmojë që regjioni dhe Maqedonia të jenë pjesë e NATO-së dhe Unionit Evropian, kjo është porosia që mori Ali Ahmeti në takimin e sotëm me ministrin e jashtëm grek Evangelos Venizelos.

Kryetari i BDI-së, inicoi që të bisedohet edhe për çështjen e emrit, për të cilën thotë se duhet të zgjidhet patjetër, sepse vendit i duhet sa më shpejtë të integrohet në strukturat  euro-atlantike, ndërsa për propozimet konkrete të ndërmjetësuesit nuk është bërë fjalë.

“Greqia është e interesuar për integrimin e vendit tonë në të gjitha këto struktura por, njëkohësisht kërkon mbylljen e të gjitha këtyre çështjeve.  Për atë mbetet një temë që kërkon përkushtimin e OKB-së dhe ndërmjetësit Nimic i cili pritet që së shpejti ta vizitojë regjionin”, tha Ahmeti pas takimit. 

Ahmeti tha se është normale që kryeministri të njoftohet për takimin.
“BDI e ka platformën e vete politike si për politikën e jashtme ashtu edhe për të brendshmen, por asnjëherë nuk vepron pa informuar partnerin e koalicionit. Gjithsesi dhe normalisht që Gruevski si partner i koalicionit është i informuar si për vizitat e kaluara ashtu edhe për ata aktuale dhe ata që do ti realizojmë në të ardhmen” thotë Ahmeti.

Ai tha se në takimin e tij nuk është folur në lidhje me takimin eventual të Gruevskit me Samarasin. Para takimit me Venizelos, Ahmeti ka realizuar takim edhe me ministrin grek të mbrojtjes, Dimitris Avramopulos. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button