Çfarë pritet të sjellë Ahmeti nga Athina?

Sot në Athinë lideri i BDI-së Ali Ahmeti realizon takim me shefin e diplomacisë greke dhe zëvendëskryeministrin, Evangelos Venizelos.

Edhe këtë herë nga vizita e tij nuk pritet përparim në zgjidhjen e çështjes së emrit sepse Ahmeti në vend do të sjellë qëndrimet e pandryshuara greke, kështu mendojnë analistët. 

Lideri i BDI-së këto vizita i realizon për marketing politik dhe njëkohësisht bindet për gjendjen reale duke sjellë në Maqedoni asgjë më shumë se sa qëndrimet e pandryshuara të Greqisë, është i mendimit analisti Mersel Bilalli.

“BDI tregon njëfarë konstruktiviteti sa i përket kësaj çështje, duke theksuar se ja e kryejmë punën tonë për integrimet që i kemi premtuar, por nuk jam i bindur se do të ketë rezultate. Lëvizje përpara nuk mund të presim, ndërsa faktori ndërkombëtar ka humbur dhe interesin për Maqedonisë sepse është më e katërta herë që Qevria jonë tenton ta bind se punon për kontestin e emrit ndërsa realisht ata vetëm e minojnë të njëjtin” thotë për Portalb, Bilalli.

Me këtë vizitë bie në sy aktiviteti partiak i BDI-së, ndërsa a do ti prish kjo marrëdhëniet mes VMRO-së dhe tyre, do të tregojë koha, mirëpo një gjë është e qartë se përputhja e qëndrimeve të BDI-së me opozitën në lidhje me çështjen e emrit dita ditës më shumë po i bën presion VMRO-së, thotë ish ministri i jashtëm Denko Malevski. 

Ai thekson se duhet një qëndrim unik qeveritar sa i përket kësaj çështjeje.

“Shteti duhet të mbajë një qëndrim të përbashkët sa i përket kësaj çështjeje duke hapur debat të gjërë. Është shumë me rëndësi që në marrëdhëniet me shtetet e tjera Qeveria të paraqitet me një qëndrim që domethënë se para se me shkuar në vizitë në shtetet e tjera të ketë koordinim të brendshëm” thotë për REL, Malevski.

Por, Bilalli është i mendimit se dy partnerët janë koordinuar me këtë rast që Gruevski i thotë partnerit të tij që “të shkojë të bindet vet” për kokëfortësinë greke, edhe pse fajet sipas Bilallit, qëndrojnë te vetë kryeministri.

“Ka shtatë vite që kryeministri Nikolla Gruevski punon duke minuar proceset euro-integruese dhe e ka shënuar regres të paparë deri më tani. Me këto presione që ia ushtron BDI-ja, me siguri ai u thotë shkoni dhe binduni vetë se grekët nuk kanë vullnet politik. VMRO e kanë prishur “mirëseardhjen” në këtë shpi dhe tani thotë vetëm shkoni shikoni si është e prishur” thotë për Portalb, Bilalli.

Nga deklaratat zyrtare nga takimi Ahmeti- Venizelos thuhet se Venizelos ka kërkuar nga Ahmeti të mbyllet çështja e emrit. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button