Vigenin: Në Maqedoni përforcohet nacionalizmi

Maqedonia duhet t’i zgjidhë problemet thelbësore me fqinjët e saj dhe t’i realizojë reformat që i pret BE-ja, nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Ky nuk është proces i lehtë, por nuk ka rrugë tjetër, thotë për redaksinë bullgare të “Deutsche Welle”, ministri i jashtëm bullgar, Kristian Vigenin.

“Marrëdhëniet e mira me Maqedoninë kanë rëndësi të madhe për ne. Me keqardhje duhet të konstatoj se në vitet e fundit vërehet një deficit në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Në masë të madhe, me gjasë, kjo është rezultat i asaj se në vitet e fundit në Republikën e Maqedonisë ka tendencë të përforcimit të nacionalizmit, që në mënyrë të pashmangshme çon në thellimin e mosbesimit ndërmjet nesh. Fushata negative mediatike ndaj nesh, përpjekjet për përvetësimin e personaliteteve historike, pretendimet për “pakicën maqedonase” në Bullgari dhe një sërë faktesh tjera krijojnë stereotipe në shoqërinë maqedonase, që nga ana tjetër shkakton reagim në shoqërinë bullgare”, ka thënë Vigenin.

Sipas tij, që të arrihet atmosferë pozitive ndërmjet të dyja palëve nevojite vullnet politik dhe përforcim të dialogut ndërmjet autoriteteve zyrtare, qeverive, parlamenteve, komunave. Ai thotë se takimi i punës ndërmjet dy kryeministrave më 28 korrik në Qystendil ka vendosur një bazë të mirë dhe ka treguar se dialogu mund të rrjedhë në rrafsh zyrtar. 

“Bullgaria ndjehet e frikësuar nga politika që zbatohet nga Republika e Maqedonisë në vitet e fundit. Përkundrazi, Bullgaria prej vetë krijimit të Republikës së Maqedonisë e mbështet shtetin e ri në çdo aspekt. Por, kur gjithnjë e më shumë vihet në pikëpyetje historia bullgare, trashëgimia kulturore-historike bullgare, promovohet pakica joekzistuese maqedonase te ne, nuk mund t’i mbyllim sytë”, ka potencuar shefi i diplomacisë bullgare.

Ai thotë se tani e ka radhën Maqedonia ta ftojë ekipin negociator bullgar për përgatitjen e marrëveshjes për fqinjësi dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button